Lajme

Kosovë: Miratohet rishikimi i buxhetit për vitin 2021


Kuvendi i Kosovës

Me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë seancës plenare të së mërkurës kanë miratuar shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Kryetari i Komisionit për Punë, Buxhet dhe Transfere, Armend Muja, gjatë seancës së Kuvendit e kishte prezantuar e projektligjin si dhe arsyetimin se pse duhet mbështetur ky projektligj së bashku me amendamente.

Ai kishte treguar se buxheti për vitin 2021 është parashikuar të jetë 2.4 miliardë euro.

“Shpenzimet në kuadër të ligjit për ndarje buxhetore për vitin 2021 ishin parashikuar të jenë rreth 2.4 miliardë euro, ndërsa në bazë të rishikimi të buxhetit parashihen të rriten shpenzimet për 63 milionë euro, për të financuar prioritetet si për ringjallje ekonomike, gjithashtu edhe prioritetin e financimit të nevojave shëndetësore”, ka thënë Muja.

Ndërsa deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, e kishte kritikuar këtë projektligje duke thënë se ka dallime të mëdha në mes të programit qeverisës dhe buxhetit.

“Projektligji në fjalë ka një diskrepanc totale në mes programit të qeverisë dhe buxhetit. Premtimet të cilat janë të shkruar dhe të prezantuar në programin e qeverisë, nuk janë të reflektuar në buxhet”, ka thënë Hamza.

Edhe Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverinë me arsyetimin se rishikimi buxhetor dallon me programin qeverisës.

“Ky rishikim i buxhetit fare nuk reflekton në programin e juaj qeverisës, nuk është e parapar as fondi sovran, as banka zhvillimore, nuk është parapar as buxheti shtesë në Mistrinë e Arsimit për 160 çerdhe për të cilat i keni në program”, ka thënë Bajrami.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka kritikuar qeverinë Kurti duke thënë se ky rishikim i buxhetit ka baza politike.

“Ky rishikim i buxhetit është i ndërtuar kryekëput dhe puro mbi baza politike. Me vite të tëra në Kuvendin e Kosovës ,deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në krye me kryeministrin Albin Kurti kanë folur kinse ndarje të padrejtë publike të buxhetit”, ka deklaruar Lekaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore