Lajme

Kosovë: Pas dhunimit të 13-vjeçares në Janjevë, Rrjeti i Grave organizon protestë


Të premten e 16 korrikut, Rrjeti i Grave të Kosovës do të organizojë protestë para Qendrës për Punë Sociale në komunën e Lipjanit, për të kërkuar drejtësi për dhunimin e të miturës 13 vjeç.

Këtë e ka bërë të ditur organizata Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (Qika), përmes një njoftimi në faqen zyrtare, ku thuhet se kjo protestë vjen si përgjigje ndaj neglizhencës së këtij institucioni, pasi që ka qenë i informuar, mirëpo “nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm”, për të parandaluar abuzimin që i është bërë të miturës.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave në vendin tonë vazhdon të mbetet ndër shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut, mirëpo megjithatë është ndër krimet më pak të ndëshkueshme në vend. Të acaruara nga kjo situatë, këtë të premte, mblidhemi për të ngritur zërin ndaj dhunimit sistematik që gratë dhe vajzat në shoqërinë tonë përjetojnë çdo ditë, si dhe kundër neglizhencës institucionale që i bëhet kësaj dhune”, thuhet në njoftim.

Disa nga kërkesat kryesore të protestës janë shkarkimi i menaxherit/es së rastit që ka qenë i/e informuar për faktin që e mitura ishte e pastrehë, të merren të gjitha masat e nevojshme për të rehabilituar fizikisht, psikologjikisht e emocionalisht të miturën, si dhe integrimin social të saj, të rritet monitorimi në nivel komunal ndaj Qendrave për Punë Sociale.

Po ashtu, sipas njoftimit, një ndër kërkesat kryesore të kësaj proteste do të jetë edhe sigurimi i ndëshkimit nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria për të gjithë abuzuesit e përfshirë në dhunimin e së miturës.

Prokuroria Themelore e Prishtinës më 14 korrik kishte lëshuar një deklaratë lidhur me raportimet se një 13-vjeçare në Janjevë të Lipjanit është dhunuar nga disa persona.

Përmes një komunikate për mediat, Prokuroria njofton se prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rastit në fjalë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit të drejtë e të saktë, njofton opinionin publik lidhur me rastin i cili është plasuar në media e që ka të bëjë me një të mitur nga komuna e Lipjanit, i cili fillimisht është raportuar në stacionin policor në Lipjan si person i zhdukur (e mitur), më 16 qershor 2021, me ç’rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie dhe në bazë të autorizimeve të tij në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është gjetur personi në fjalë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria, në koordinim të plotë me Qendrën për Punë Sociale në Lipjan, kanë ndërmarrë masa të nevojshme për ofrimin e të gjitha shërbimeve për të dëmtuarën.

“Lidhur me këtë rast, më 22 qershor 2021, janë hapur hetime ndaj prindit të dëmtuarës, në drejtim të veprës penale ‘Shkelja e detyrimeve familjare’, nga neni 244 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Meqenëse rasti në fjalë ndodhet në procesin hetimor dhe i takon Procedurës për të Mitur, kufizimi i dhënies së informatave do të bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe do të shmanget çdo publicitet i tepruar dhe informata që shpien në identifikimin e të miturve, pasi shkelin rëndë të drejtat e fëmijëve për privatësi dhe janë në kundërshtim me ligjin”, njofton prokuroria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore