Lajme

Kosovë: Opozita kërkon qëndrimin e Qeverisë për Marrëveshjen e Washington-it


Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të dijë qëndrimin e tyre për Marrëveshjen e Washington-it.

Këtë e ka deklaruar gjatë fjalimit të tij, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar dorëzimin e studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria po i bën bisht dhe nuk po deklarohet për marrëveshjen e Washington-it. Cili është qëndrimi i kryeministrit? Ai më herët kishte thënë se kjo është një listë e zotimeve. Një zyrtar i qeverisë ka thënë se nuk ka bazë juridike për implementimin e kësaj marrëveshjeje. A do të fillojë implementimi i kësaj marrëveshje, apo jo?”, është shprehur Tahiri.

Çështja tjetër e shtruar nga ai është iniciativa e Qeverisë për nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunim ndërkufitar me Malin e Zi.

“Para se të fillojë kjo, ku mbet Zhglebi dhe Qakorri? Pse kjo mazhorancë dhe ky kryeministër po heqin dorë prej rinegocimit dhe kthimit të atyre tetë mijë hektarëve?”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se qeveria aktuale nuk mund të fshihet pas qëndrimeve që, sipas tij, i kanë proklamuar me vite të tëra.

Çështjen e marrëveshjes së Washington-it, e ka ngritur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili e ka kritikuar Qeverinë Kurti për kundërshtimin që i kishte bërë në kohën kur ishte nënshkruar kjo marrëveshje.

“Kjo marrëveshje është kritikuar nga të gjitha partitë opozitare atëherë me argumente të paqëndrueshme, me motive politike jo fisnike, thjesht për të rritur militantizmin e verbër politik të përkrahësve të tyre. Një pjesë e asaj opozite tash është në qeveri dhe, duke qenë në qeveri, ne presim që të tregohet maturi më e madhe politike karshi çështjeve të rëndësisë shtetërore”, ka thënë Hoti.

Hoti ka kërkuar nga Qeveria që të deklarohet nëse kjo marrëveshje e cënon sovranitetin e Kosovës, pas pranimit të studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.

“Qeveria ka pranuar studimin e fizibilitetit për liqenin e Ujmanit. Ka qenë absurde atëherë të deklarohet që kjo marrëveshje e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, cenon sovranitetin e Kosovës. Këtë studim e kanë në dorë dhe presim një deklarim të qartë të qeverisë lidhur me pyetjen. A e cenon sovranitetin e Kosovës studimi i fizibilietit për liqenin e Ujmanit?”, ka shtuar ai.

Ai ritheksoi se do të ishte e udhës që të bëhej një kërkim faljeje nga Qeveria Kurti.

Ndërkaq, Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka pohuar se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka kthyer përgjigje me shkrim për pyetjen e saj parlamentare rreth pozicionit të Qeverisë për marrëveshjen e Washington-it.

Në letrën e Gërvallës dërguar Musliu-Shoshit, sipas kësaj të fundit thuhet se “marrëveshja e Washington-it është kundër interesave të Kosovës”.

“Unë sot ndaj me ju qëndrimin e saj, e cila këtë marrëveshje e konsideron si të pamenduar mirë, të panevojshme, nuk respekton interesat e Kosovës, sovranitetin e shtetit. Kjo marrëveshje përmban zotime që shkaktojnë pasoja afatgjate për Kosovën, se për të nxjerrë konkluzione për këto zotime duhet dialog me miqtë tanë. Kjo nuk është marrëveshje e mirëfilltë ndërkombëtare dhe, si e tillë, palët nuk i obligon ligjërisht”, ka thënë ajo.

Sipas deputetes së PDK-së, Gërvalla ka përmendur edhe Ambasadën e Kosovës në Jerusalem.

“Ministrja Gërvalla vazhdon të thotë se vendosja e ambasadës në Jerusalem ka shkaktuar fërkime me partnerët evropianë dhe arsyetohet se, për shkak të evitimit të irritimeve diplomatike, qeveria Kurti ka vendosur që këtë vendim ta pranojë të qenë dhe të mos kërkojë rivendim të ambasadës. Por, ai zotohet se Kosova mbetet e interesuar të vendosë marrëdhënie të mira me Palestinën”, shtoi Musliu-Shoshi.

“Më tej, ajo shkruan se pikat e marrëveshjes së Washington-it, që kanë të bëjnë me ekonominë, kanë diskriminuar Kosovën, sovranitetin dhe interesin e saj dhe se rreth këtyre pikave jemi në dialog me aleatët tanë”, ka thënë Musliu, duke pyetur se a do të thotë kjo që SHBA-të nuk konsiderohen miqtë tanë, pasi këto zotime janë në mes të SHBA-ve dhe Kosovës?

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke e parë dinamikën e punës ka theksuar se Qeveria, së pari, duhet ta formojë komisionin shtetëror për shënimin e kufirit.

“Ai komision nuk është ekzistues dhe duhet ta krijoni këtë, në mënyrë që mos të lihet në vakum, i cili duhet të jetë funksional. Ne ju përkrahim në këtë rast. Arsyeja e krijimit të këtij komisioni është se nuk ka ndodhur demarkimi, nuk është i shënuar kufiri me Malin e Zi”, ka thënë Haradinaj.

Seanca plenare në Kuvendin e Kosovës është duke vazhduar, ku të pranishëm janë gjithsejtë 81 deputetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore