Lajme

Kosovë: Mbi 1 mijë raste të reja me kancer


Klinika e Onkologjisë

1 mijë e 100 raste të reja të kancerit janë diagnostifikuar nga janari deri në pjesën e parë të shtatorit të vitit 2021 në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (SHSKUK).

Po ashtu gjatë kësaj periudhe janë ofruar rreth 200 mijë shërbime mjekësore onkologjike për pacientët e prekur me kancer.

Tutje thuhet në një postim në rrjetin social Facebook nga SHSKUK se sipas të dhënave më shumë se “300 femra janë diagnostikuar me kancer të gjirit, 150 meshkuj me kancer të mushkërive, pasuar nga kanceri kolorektal te meshkujt dhe kanceri i vezoreve dhe organeve gjenitale te femrat, si patologjitë më të shprehura”.

Pacienti duke u tratuar në Klinikën e Onkologjisë

SHSKUK ka njoftuar se mbi 30 mijë doza të kimioterapisë dhe mbi 15 mijë seanca të rrezatimit janë realizuar deri më tani.

“Klinika e Onkologjisë ka punuar gjatë gjithë kohës së Pandemisë COVID-19, me intensitet të plotë, gjë që ka mundësuar që pacientet me kancer te kenë një trajtim meritor dhe në cikle të rregullta, në mënyrë që sëmundja të jetë sa më shumë në kontrollë”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

“Meqenëse gjatë kësaj kohe ka pasur edhe pacient onkologjik, që kanë qenë në trajtim specifik onkologjik e që janë infektuar me virus, gati të gjithë e kanë kaluar infeksionin si një grip të zakonshëm ose me probleme të vogla”.

Infermiere në Klinikën e Onkologjisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore