Lajme

Koreja e Veriut lëshon raketa ‘përfshirë ICBM’, ndërsa Biden përfundon turneun në Azi


Koreja e Veriut ka testuar tri raketa në brigjet e saj lindore, duke përfshirë një raketë të dyshuar balistike ndërkontinentale (ICBM), sipas qeverive të Koresë së Jugut dhe Japonisë.

Testet të mërkurën erdhën disa orë, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u largua nga rajoni pas një turneu pesë-ditor, gjatë të cilit ai u zotua të mbronte Korenë e Jugut dhe Japoninë përballë arsenalit në rritje bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut.

Shefi i Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut (JCS) tha se raketa e parë u lëshua nga zona Sunan në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian, në orën 6 të mëngjesit me kohën lokale (21:00 GMT) të mërkurën.

E dyta u nis 37 minuta më vonë dhe e treta pesë minuta më pas.

Ushtria tha se e para nga tre predhat ishte një ICBM e dyshuar dhe fluturoi rreth 360 km (224 milje), me një lartësi maksimale prej 540 km (336 milje).

Nëse konfirmohet, ky do të jetë testi i dytë ICBM që ka kryer Koreja e Veriut, qëkur Udhëheqësi Suprem Kim Jong Un i dha fund në mars një moratoriumi 4-vjeçar të vetimponuar mbi testet e raketave me rreze të gjatë veprimi.

Ky pezullim erdhi në mes të një “stuhie” samitesh dhe diplomacie me SHBA-të që, më vonë, ngeci.

Predha e dytë duket se ka dështuar, pasi ka arritur një lartësi prej 20 km (12 milje), tha ushtria, ndërsa e treta – një raketë e dyshuar balistike me rreze të shkurtër – fluturoi rreth 760 km (472 milje) me një lartësi maksimale prej 60 km (37 milje).

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-Yeol, i cili thirri një takim të Këshillit të tij të Sigurisë Kombëtare, dënoi lëshimet e fundit të Koresë së Veriut si një “provokim serioz që kërcënon paqen ndërkombëtare”.

Ai urdhëroi gjithashtu “masa praktike për aktivizimin e parandalimit të zgjeruar dhe forcimin e qëndrimit të kombinuar të mbrojtjes Koreja e Jugut-SHBA”, tha një deklaratë nga zyra e tij.

Menjëherë më pas, JCS tha në një deklaratë se ushtritë e Koresë së Jugut dhe të SHBA-së hodhën dy raketa për të demonstruar vendosmërinë e tyre për t’iu përgjigjur me vendosmëri çdo provokimi të Koresë së Veriut.

Lëshimet e raketave synonin gjithashtu të tregonin se “ne kemi aftësinë dhe gatishmërinë për të goditur me saktësi origjinën e provokimit me fuqi dërrmuese”, tha ai.

Ushtria e Kinës ka treguar një raketë e re bërthamore balistike hipersonike që besohet se është e aftë të thyejë të gjitha mburojat ekzistuese kundër raketave të vendosura nga SHBA dhe aleatët e saj.

JCS shtoi se kishte zbuluar paraprakisht shenja të një “provokimi” të mundshëm të raketave të Koresë së Veriut dhe tha se Forcat Ajrore të Koresë së Jugut kishin kryer një stërvitje të martën e njohur si “shëtitja e elefantëve”, e cila përfshinte 30 avionë luftarakë që lëviznin në pistë. , në përgatitje për testet aktuale të armëve.

Në Tokio, ministri japonez i Mbrojtjes Nobuo Kishi denoncoi lëshimet e raketave të Koresë së Veriut si “provokime të qarta” dhe u tha gazetarëve se Japonia nuk do të tolerojë përpjekjet e Phenianit për të avancuar teknologjinë e saj raketore.

Ai tha se Japonia ka paraqitur një protestë me Korenë e Veriut nëpërmjet ambasadës japoneze në Pekin, kryeqyteti kinez.

Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë tha se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, Jake Sullivan, foli me homologun e tij koreano-jugor, Kim Sung-han pas lëshimeve të fundit të armëve dhe dënoi “testet destabilizuese të raketave balistike”. S

Sullivan gjithashtu ripohoi “angazhimin e palëkundur të SHBA-ve për mbrojtjen e ROK”, tha ai, duke iu referuar Koresë së Jugut me emrin e saj zyrtar.

Shfaqja e forcës erdhi pasi zyrtarët në SHBA dhe Korenë e Jugut paralajmëruan se Pheniani kishte të ngjarë të testonte së shpejti një armë bërthamore ose një raketë me rreze të gjatë, ndoshta edhe gjatë turneut të Biden-it në Azi.

Presidenti amerikan ishte larguar nga Tokio të martën mbrëma.

Marrë nga Al Jazeera, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore