Lajme

Konfiskohen mbi 36 mijë kg mish me afat të skaduar në Pejë, arrestohen dy persona


Konfiskimi i mishit në Zahaq të Pejës.

Policia e Kosovës, të martën ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar më shumë se 36 mijë kilogramë mish gjatë një kontrolli në Zahaq të Pejës.

Kjo për arsyeje se një biznes dyshohej se po përpunonte produkte të mishit me afat të skaduar.

Këtë e ka bërë të ditur policia e Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

Konfiskimi i mishit në Zahaq të Pejës.

“Gjatë inspektimit në këtë depo është gjetur mish me afat të skaduar. Në mesin e produkteve të mishit me afat të skaduar është gjetur mish i gjedhit, i peshkut, i pulës me origjinë të prejardhjes nga Brazili, Italia dhe Polonia”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Të dy të dyshuarit janë intervistuar nga Policia, njëri është menaxher kryesor i pesë njësive të biznesit afarist dhe tjetri zëvendës menaxher i depos.

“Pas intervistës me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuar A.H., është ndaluar për 48 ore ndërsa i dyshuari A.A., është lëshuar në procedurë të rregullt”.

Ndërsa, sasia e mishit me afat të skaduar është dërguar për t’u asgjësuar.

Konfiskimi i mishit në Zahaq të Pejës.

“Në deponinë e mbeturinave është bërë matja e mishit, pesha e përgjithshme e të cilit ishte: 36.180 (tridhjetë e gjashte mijë e njëqind e tetëdhjetë) kilogram”.

Mbi të arrestuarit rëndon dyshimi se kanë kryer veprën penale: ‘prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve te dëmshëm ushqimor’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore