Lajme

Konfirmon Lista Serbe: S’marrim pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në Veri


Ilustrim

Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të komunave në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat do të mbahen më 23 prill.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, këtë të enjte, ka njoftuar se procesi për organizimin e zgjedhjeve ka filluar.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar njoftim partisë sonë politike se më 18 mars është afati i fundit për aplikimin e partive për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore të Kosovës”, thuhet fillimisht në njoftimin e Listës Serbe.

Megjithatë, Lista Serbe, përmes një deklarate për media ka njoftuar se të njëjtit nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet me arsyetimin se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre.

“Nuk do të marrim pjesë në zgjedhje deri në përmbushjen e kërkesave tona legjitime”, thuhet në njoftimi.

Sipas Listës Serbe, Qeveria e Kosovës, gjegjësisht KQZ-ja, po synojnë organizimin e njëanshëm të zgjedhjeve në Veri të Kosovë pa respektuar interesat legjitime të popullit serb.

Më 5 nëntor të vitit të kaluar kishte njoftuar për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Pas këtij vendimi një ditë më pas kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kishin dhënë dorëheqje.

Largimi i Listës Serbe nga institucionet e Kosovës kishte ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Goran Rakiç kryetari i Listës Serbe, kishte thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për ri-regjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, këtë të shtunë, ka vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbaheshin me 18 dhe 25 dhjetor.

Pas vakumit të krijuar me largimin e serbëve nga institucionet qendrore dhe komunale, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte caktuar 18 dhjetorin si datë zgjedhore për kryetarë komunash dhe 25 dhjetorin për Kuvendet Komunale, për të shtyrë ato më pas përfundimisht për 23 prill të këtij viti.

Nëse do të respektohet ky afat i ripërcaktuar për të dytën herë, apo jo, varet nga situata politike, rrjedhimisht nga nënshkrimi i udhërrëfyesit për Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila pritet të negociohet në takimin e 18 marsit që do zhvillohet mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Me 18 mars mbyllet afati për certifikimin e partive, me 18 mars takohen edhe Kurti me Vuçiç’in – aty vendoset a mbahen zgjedhjet me 23 prill

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore