Sport

Komuna e Prishtinës demanton deputeten Pacolli: Mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” përgjegjësi e FFK-së


Komuna e Prishtinës ka reaguar duke e mohuar se është përgjegjëse për mirëmbajtën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë pas kritikave që pati për gjendjen e stadiumit gjatë ndeshjes eliminatore për “Euro 2024” mes Kosovës e Izraelit të zhvilluar të dielën.

“Gjatë ditës kanë qarkulluar informata të pasakta se mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” është në përgjegjësi të Kryeqytetit Prishtina, dhe se institucioni nuk është kujdesur për fushën e stadiumit. Ju informojmë se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” nuk është përgjegjësi e Kryeqytetit Prishtina, por është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës”, thuhet në reagim.

Në reagim po ashtu theksohet se “kjo përgjegjësi është e rregulluar me nenin 3, paragrafi 1.3. të Memorandumit të Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet Kryeqytetit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës me datën 30 dhjetor 2022”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se stadiumi “Fadil Vokrri” është i mbingarkuar me lojëra ndërkombëtare të klubeve dhe të Kombëtares së Kosovës dhe rrjedhimisht është në gjendje jo të mirë, prandaj kryeqyteti bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës është duke punuar tash e sa kohë në projektin për ndërtimin e stadiumit të ri të Kryeqytetit”.

Deputetja e partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në një postim në platformën X e ka quajtur “manipulant” kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën.

“Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për investime dhe mirëmbajtjen e fushës në stadiumin e Prishtinës. Kush po t’i bllokon investimet dhe mirëmbajtjen e fushës o Përparim Rama? ‘Pak llap, pak gollak’, pak rrenc e pak manipulant”, ka shkruar Pacolli.

Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit u zhvillua në “Fadil Vokrri” në një terren tejet të rënduar shkaku i reshjeve të shiut.

Pa ndeshjes të cilën e fitoi Kosova 1 me 0 me golin e shënuar nga Milot Rashica, para gazetarëve futbollisti izraelit, Eran Zahavi e krahasoi fushën e lojës me “stallë të derrave”.

“Ishte më shumë stallë derrash se fushë futbolli. E kemi ditur se nuk do të jetë lehtë në secilën situatë dhe nuk morëm pikë sonte. Do të japim çdo gjë në ndeshjet me Zvicrën dhe Rumaninë. Gjasat nuk kanë ndryshuar aq shumë. Por, natyrisht do të ishte më mirë sikur të fitonim”, potencoi ai.

“Dardanët” pas fitores, tani në grupin I i kanë grumbulluar 10 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore