Lajme

Kina ndalon ushqimet japoneze të detit pas shkarkimit të ujërave radioaktiv


Japonia ka filluar të shkarkojë më shumë se 1 milion ton ujë të ndotur në Oqeanin Paqësor nga termocentrali bërthamor i shkatërruar në Fukushima Daiichi.

Por ky veprim ka shtyrë Kinën të shpallë një ndalim të menjëhershëm të përgjithshëm për të gjitha importet e ushqimeve të detit nga Japonia.

Po ashtu ka ndezur zemërimin në komunitetet e peshkimit aty pranë.

Operatori i uzinës, Tokyo Electric Power (Tepco), pompoi një sasi të vogël uji nga centrali të enjten, dy ditë pasi plani u miratua nga qeveria japoneze.

Tepco ka thënë se lëshimi filloi në orën 13:03 me kohën lokale dhe nuk kishte identifikuar ndonjë anomali me pompën e ujit të detit ose objektet përreth.

Videoja e drejtpërdrejtë tregoi inxhinierët pas ekraneve të kompjuterit dhe një thënie zyrtare – pas një numërimi mbrapsht – se “valvulat pranë pompave të transportit të ujit po hapen”.

Monitoruesit nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, i cili ka miratuar planin, do të ishin në vend për procedurën, ndërsa punëtorët e Tepco-s ishin planifikuar të merrnin mostra uji më vonë.

Shkarkimi, i cili pritet të zgjasë 30 deri në 40 vjet, ka shkaktuar zemërim në vendet fqinje dhe shqetësim në mesin e peshkatarëve se do të shkatërrojë industrinë e tyre ndërsa konsumatorët largohen nga ushqimet e detit të kapura në Fukushima dhe përreth.

Kina kritikoi lëshimin, duke e quajtur atë “jashtëzakonisht egoist dhe të papërgjegjshëm”.

“Oqeani është pronë e përbashkët e gjithë njerëzimit dhe nisja me forcë e shkarkimit të ujërave bërthamore të Fukushimës në oqean është një akt jashtëzakonisht egoist dhe i papërgjegjshëm që shpërfill interesat publike ndërkombëtare”, ka thënë Ministria e Jashtme e Pekinit.

Po ashtu Policia e Koresë së Jugut arrestoi të paktën 14 persona që hynë në një ndërtesë ku ndodhet ambasada japoneze në Seul gjatë një proteste kundër lëshimit.

Uji fillimisht do të çlirohet në sasi modeste dhe me kontrolle shtesë, sipas Tepco, me shkarkimin e parë, në total 7 mijë e 800 metra kub, që pritet të zgjasë rreth 17 ditë.

Mënyra e asgjësimit të ujërave radioaktiv që janë grumbulluar në lokacionin në bregun verilindor të Japonisë ka dëshmuar angari diplomatike për qeverinë, pavarësisht mbështetjes për qasjen e saj nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

Uji u kontaminua pasi u përdor për të ftohur tre reaktorë bërthamorë që u shkrinë pasi Fukushima Daiichi u godit nga një cunami i fuqishëm në mars 2011.

Valët ndërprenë furnizimin me energji elektrike rezervë të centraleve dhe detyruan evakuimin e 160 mijë njerëzve, në rastin më të keq në botë të një aksidenti bërthamor që nga Çornobili.

Teknologjia në vend përdoret për të hequr shumicën e substancave të dëmshme, por nuk është në gjendje të filtrojë tritiumin, një izotop radioaktiv i hidrogjenit që konsiderohet të jetë relativisht i padëmshëm, sepse lëshon nivele shumë të dobëta rrezatimi dhe nuk grumbullohet ose përqendrohet brenda trupit të njeriut.

Kritikët e shkarkimit thonë se mungesa e të dhënave afatgjata do të thotë se është e pamundur të thuhet me siguri se tritiumi nuk përbën asnjë kërcënim për shëndetin e njeriut apo mjedisin detar.

Përpara lëshimit, Tepco ka thënë se grumbulli i parë i ujit të shkarkuar do të përmbajë rreth 190 bekerel tritium për litër – shumë më poshtë kufirit të ujit të pijshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë prej 10 mijë bekerel për litër.

Uji do të lirohet me një shpejtësi maksimale prej 500 mijë litrash në ditë.

Zyrtarët japonezë thonë se uji – i cili hollohet me ujë deti përpara se të pompohet në Paqësor nëpërmjet një tuneli nënujor – është i sigurt.

Kjo pikëpamje u mbështet nga një rishikim i fundit i sigurisë nga IAEA, në të cilin është thënë se lëshimi do të kishte një efekt radiologjik të papërfillshëm mbi njerëzit dhe mjedisin.

Por garancitë për sigurinë ushqimore nuk kanë arritur të bindin Kinën.

Disa orë përpara fillimit të shkarkimit, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin e quajti masën “jashtëzakonisht egoiste”, duke shtuar se Pekini kishte paraqitur një ankesë zyrtare me ambasadorin e Japonisë në Kinë.

Wang ka thënë se Kina “do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur mjedisin detar, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.

“Oqeani është pronë e përbashkët e të gjithë njerëzimit, jo një vend ku Japonia të hedhë në mënyrë arbitrare ujin e kontaminuar nga bërthama”, ka thënë Wang.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore