Lajme

Këshilltari i Kurtit i tregon Lajçak-ut se si duhet të ndërmjetësojë


Jeton Zulfaj

Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka reaguar ndaj një deklarate të emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i artikuluar së fundmi në një intervistë të dhënë për Euronews Serbia, ku ndër të tjera diplomati sllovak i përgjigjet kritikave për anshmëri në procesin e dialogut duke thënë se ai preferon të qëndrojë në mes, e jo të favorizojë njërën palë më shumë se palën tjetër.

Por, sipas Zulfaj, kjo strategji e BE-së në rastin e Kosovës dhe Serbisë është e gabuar, pasi sipas interpretimit të tij, ndërmjetësi i dialogut nuk mund të qëndrojë neutral kur në pyetje është një shtet demokratik si Kosova dhe një shtet autoritar si Serbia.

“Miroslav Lajçak beson se roli i tij është të jetë në mes. Në mes pavarësisht vlerave. Në mes të demokracisë dhe autokracisë. Në mes të së drejtës së Kosovës për të ekzistuar si shtet sovran, të cilën Serbia refuzon ta njohë, dhe kërkesës së Serbisë për një Republikë Srpska në Kosovë”, ka shkruar shkurtimisht Zulfaj në Twitter.

Ndryshe Zulfaj, javë më parë, në një sërë reagimesh në rrjetin e tij social në Twitter, kishte përshkruar procesin se si kishte ardhur deri te tensionimi i situatës në Veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale, nën asistencën e Policisë së Kosovës, duke nxjerrë kështu fajtor në një farë mënyre komunitetin ndërkombëtar, gjegjësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Situata në terren, sipas Zulfaj, tregonte qartësisht se serbët e Kosovës në katër komunat do të bojkotonin zgjedhjet për shkak të presionit të Serbisë.

“Procesi u mbështet dhe rezultatet u njohën, por kur erdhi koha që kryetarët të shkonin në punë QUINT e tërhoqi mbështetjen. Pse?” kishte pyetur Zulfaj fillimisht.

Për të përgjigja ishte shumë e thjeshtë, kjo tërheqje e komunitetit ndërkombëtar – pas mbështetjes fillimisht – qëndron në një politik të vjetër e të gabuar, e që është zbutja/qetësimi i autokratëve, në këtë rast presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Është gjithashtu e qartë se kjo bie ndesh edhe me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve e cila thotë se ne do të punojmë për të forcuar demokracinë në mbarë botën e cila të dërgon në një shoqëri më të begat dhe më elastike dhe krijon partnerë më të fortë dhe më të besueshëm ekonomikë dhe të sigurisë për SHBA-të”, tregon ai.

Prandaj Zulfaj kishte kërkuar që njerëzit të gjykojnë, bazuar në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, se kush është partneri më i mirë, në këtë rast Kosova dhe Serbia, për SHBA-të duke parë një fakt shumë të thjeshtë, se në Kosovë ka sundim të ligjit e në Serbi jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore