Lajme

Këshilltari i Kurtit: Amerika po bën politika kundër strategjisë së vetë nacionale të sigurisë


Jeton Zulfaj dhe Albin Kurti

Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në një sërë reagimesh në rrjetin e tij social në Twitter, ka përshkruar procesin se si ka ardhur deri te tensionimi i situatës në Veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale, nën asistencën e Policisë së Kosovës, duke nxjerrë kështu fajtor në një farë mënyre komunitetin ndërkombëtar, gjegjësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Situata në terren, sipas Zulfaj, tregonte qartësisht se serbët e Kosovës në katër komunat do të bojkotonin zgjedhjet për shkak të presionit të Serbisë.

“Procesi u mbështet dhe rezultatet u njohën, por kur erdhi koha që kryetarët të shkonin në punë QUINT e tërhoqi mbështetjen. Pse?” pyet Zulfaj fillimisht.

Për të përgjigja është shumë e thjeshtë, kjo tërheqje e komunitetit ndërkombëtar – pas mbështetjes fillimisht – qëndron në një politik të vjetër e të gabuar, e që është zbutja/qetësimi i autokratëve, në këtë rast presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Është gjithashtu e qartë se kjo bie ndesh edhe me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve e cila thotë se ne do të punojmë për të forcuar demokracinë në mbarë botën e cila të dërgon në një shoqëri më të begat dhe më elastike dhe krijon partnerë më të fortë dhe më të besueshëm ekonomikë dhe të sigurisë për SHBA-të”, tregon ai.

Prandaj Zulfaj ka kërkuar që njerëzit të gjykojnë, bazuar në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, se kush është partneri më i mirë, në këtë rast Kosova dhe Serbia, për SHBA-të duke parë një fakt shumë të thjeshtë, se në Kosovë ka sundim të ligjit e në Serbi jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore