Shqipëria

Këshilli i Sigurimit do të votojë për rezolutën që dënon “referendumet” ruse


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të votojë të premten e 30 shtatorit mbi një rezolutë që dënon referendumet për aneksimin e disa rajoneve të okupuara nga Rusia të Ukrainës.

Lajmi u bë i ditur nga Agjencia Franceze (AFP), duke cituar deklaratën e presidencës aktuale franceze.

Rezoluta – e hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria – nuk do të ketë mundësi të kalojë falë të drejtës së vetos së Moskës.

Ajo më pas mund të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme.

Takimi është caktuar për në orën 15:00 (me orën lokale) të premten, përpara një diskutimi tjetër mbi rrjedhjet e zbuluara në tubacionin e gazit Nord Stream.

Rezoluta kërkon që forcat ruse të largohen nga Ukraina.

Ndër të tjera, ajo rikonfirmon “angazhimin për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Më tej thuhet se referendumet “nuk kanë vlefshmëri dhe nuk mund të përbëjnë bazën për ndonjë ndryshim të statusit të këtyre rajoneve të Ukrainës”.

Rezoluta SHBA-Shqipëri “u bën thirrje të gjitha shteteve që të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe agjencitë e specializuara të mos njohin asnjë përvetësim të supozuar nga Federata Ruse të ndonjë ose të të gjitha rajoneve të Ukrainës të Luhansk-ut, Donetsk-ut, Kherson-it ose Zaporizhzhya-s dhe të përmbahen nga çdo veprim ose marrëveshje që mund të interpretohet si njohje e një statusi të tillë të ndryshuar”.

Ambasadori shqiptar Ferit Hoxha, i cili bashkë-garantoi rezolutën, i bëri jehonë shqetësimeve për referendumet e Rusisë.

“Ne shohim protesta kundër thirrjes për të shkuar në Ukrainë, sepse besojmë se qytetarët rusë nuk duan të shkojnë atje, pasi nuk duan të vdesin në këtë luftë”, tha Hoxha.

Pavarësisht nga siguria e vetos së Rusisë për rezolutën, të gjithë sytë do të jenë te përgjigjet e Indisë dhe Kinës.

Të dyja vendet në shkurt abstenuan nga votimi për një rezolutë që dënon pushtimin e Moskës ndaj ish-fqinjës së saj sovjetike, por Kina në fillim të kësaj jave bëri thirrje që të respektohet “integriteti territorial” i të gjitha vendeve.

Votimi i mëvonshëm i Asamblesë së Përgjithshme do të ofrojë një pamje se sa e izoluar është bërë Rusia ndërkombëtarisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore