Lajme

“Kërcënimet ndaj Presidentes” – Kryesuesi i KPK-së për Albanian Post: Osmani asnjëherë s’e ka ngritur këtë çështje


Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka thënë për Albanian Post se gjatë takimeve me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kjo e fundit asnjëherë nuk ka treguar që është duke u kërcënuar për ta emëruar Blerim Isufajn – Kryeprokuror të Shtetit.

“Nuk e kemi asnjë provë që ajo është kërcënuar, ajo do duhej t’i njoftoj organet e sigurisë që të merren masa ndaj secilit që ka bërë një kërcenim të tillë. Ne jemi takuar me presidenten, por asnjë asnjëherë nuk e ka ngritur këtë çështje”, tha Maloku.

Prandaj, ai ka theksuar që Osmani është dashur ta njoftojë opinion se kush e po e kërcënon dhe jo të krijoj huti në opinion.

Megjithatë, Osmani në konferencë për media përkundër se u pyet disa herë me radhë nuk tregoi se kush janë personat që e kanë kërcënuar dhe gjithashtu tha se nuk i ka denoncuar ata persona te organet e rendit.

Presidentja thotë se është kërcënuar që ta emërojë Blerim Isufajn kryeprokuror shteti – por refuzon të tregojë emrat e kërcënuesve

“Ka pasur edhe presion të paligjshme, njerëz që dërgonin mesazhe në qoftë se nuk e dekreton do të bëjmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do t’i lidhim duart, e të tjera e të tjera”, tha Osmani e cila vazhdimisht refuzonte të bënte publik emrat e personave që tha ta kenë kërcënuar.

Arsyeja përse nuk i denoncon te organet e drejtësisë tha të jetë fakti se “kjo do të duhej të ishte procedura në rastet kur funksionin një sistem i drejtësisë”, duke lënë të kuptohet se në Kosovë nuk funksionon.

“Kjo është si të thuash shko dhe deponoje te ata që të kanë kërcënuar”, deklaroi Osmani gjithmonë duke refuzuar të jap emra se kush janë personat.

“Jam nga viti 1999 në politikë por është hera e parë që po dal po them që jam kërcënuar”, ritheksojë Osmani, duke provuar kështu të dëshmojë se e ka seriozisht me deklaratën.

Ndryshe, KPK-ja përmes një reagimi për media ka shprehur mospajtim të thellë ndaj deklaratave të Osmanit, pasi kjo  fundit nuk e ka dekretuar Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, meqë sipas saj, ka pasur “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes”.

Në reagim po ashtu theksohet se KPK-ja do të mbajë së shpejti një takim për të vendosur lidhur me hapat që do të ndjekë pas njoftimit të Presidentes për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Më 6 prill të vitit të kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Isufaj aktualisht është Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

Presidentja thotë se është kërcënuar që ta emërojë Blerim Isufajn kryeprokuror shteti – por refuzon të tregojë emrat e kërcënuesve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore