Lajme

Presidentja thotë se është kërcënuar që ta emërojë Blerim Isufajn kryeprokuror shteti – por refuzon të tregojë emrat e kërcënuesve


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar në konferencë për media se ka marrë kërcënime nga disa persona për hezitimin e saj që ta dekretojë për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn, kryeprokurorin e propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Por, Osmani përkundër se u pyet disa herë me radhë nuk tregoi se kush janë personat që e kanë kërcënuar dhe gjithashtu tha se nuk i ka denoncuar ata persona te organet e rendit.

“Ka pasur edhe presion të paligjshme, njerëz që dërgonin mesazhe në qoftë se nuk e dekreton do të bëjmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do t’i lidhim duart, e të tjera e të tjera”, tha Osmani e cila vazhdimisht refuzonte të bënte publik emrat e personave që tha ta kenë kërcënuar.

Arsyeja përse nuk i denoncon te organet e drejtësisë tha të jetë fakti se “kjo do të duhej të ishte procedura në rastet kur funksionin një sistem i drejtësisë”, duke lënë të kuptohet se në Kosovë nuk funksionon.

“Kjo është si të thuash shko dhe deponoje te ata që të kanë kërcënuar”, deklaroi Osmani gjithmonë duke refuzuar të jap emra se kush janë personat.

“Jam nga viti 1999 në politikë por është hera e parë që po dal po them që jam kërcënuar”, ritheksojë Osmani, duke provuar kështu të dëshmojë se e ka seriozisht me deklaratën.

“Është hera e parë që dal e them se jam kërcënuar dhe kam pasur presion nga dikush”, shtoi.

Vjosa Osmani prej kohesh e ka mbajtur pezull vendimin për dekretimin, apo jo të Isufajt.

Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, është person që nuk është pëlqyer nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti në një paraqitje të tij në Parlamentin e Kosovës, kishte deklaruar se atij nuk i pëlqen Isufaj, presidentes nuk i pëlqen dhe kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, nuk i pëlqen prandaj ai nuk do të bëhet dot kryeprokuror.

Osmani: Refuzoj ta dekretoj Blerim Isufajn kryeprokuror

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore