Lajme

Osmani: Refuzoj ta dekretoj Blerim Isufajn kryeprokuror


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nuk e ka dekretuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit, Blerim Isufajn, meqë sipas saj, procesi është cilësuar “si i parregullt dhe diskriminues” nga të gjithë vëzhguesit, si nga organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare të cilat kanë evidentuar “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit”.

“Sot e kam njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me vlerësimin e procedurës i cili duke pasur parasysh të gjitha shkeljet, më obligon që mos ta bëjë dekretimin e kandidatit të propozuar për Kryeprokuror, sipas propozimit të KPK-së të datës 8 prill, 2022”, tha Osmani gjatë një konference për media.

Osmania ka shtuar se shumica e shkeljeve janë bërë publike nga organizatat monitoruese të shoqërisë civile në vend dhe nga raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën për vitin 2022.

“Disa nga shkeljet e evidentuar nga procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit janë: Shmangia nga zbatimi i kritereve ligjore për pozitën e kryeprokuror të shtetit; mohimi i mundësisë për mjet ankimor brenda KPK-së, për kandidatët e pakënaqur, përmes refuzimit arbitrar të raportit të komisionit për shqyrtim të kundërshtimeve; shkelje në procedurat e vlerësimit të reputacionit profesional të kandidatëve; shkelje në procedurat të integritetit të kandidatëve”, potencoi Osmani.

Po ashtu presidentja ka theksuar se ka ftuar Këshillin Prokurorial të ndjek procedurat kushtetuese e ligjore në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Do të parandalojë çdo veprim që do të mund të lëkund shtyllat e shtetit tonë, duke i shkelur parimet kushtetuese. Nuk do të lejojë të rrezikohen parimet kushtetuese për interes të askujt”, tha Osmani.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian dhe Organizatat joqeveritare – Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja Fol kishin vërejtje sa i përket procesit të zgjedhjes së Isufajt.

Madje, IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, i patën bërë thirrje presidentes që gjatë vlerësimit të saj për emërim, t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces.

Blerim Isufaj

Ndryshe ditë më parë, KPK-ja njoftoi se do t’i kërkojë Osmanit me letër urgjente dekretimin e Isufajt për Kryeprokuror.

Më 6 prill të vitit të kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Isufaj aktualisht është Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

Presidentja thotë se është kërcënuar që ta emërojë Blerim Isufajn kryeprokuror shteti – por refuzon të tregojë emrat e kërcënuesve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore