Muzikë

Këngët me plot ngjyra nga muzikantët e verbër


Bota nuk ka pasur mungesë muzikantësh thellësisht krijues dhe shumë të talentuar, të cilët korrën suksese të mëdha përkundër mungesës së shqisës të të pamurit.

Albanian Post ju sjell listën prej dhjetë muzikantësh që nuk kanë lejuar që aftësia e kufizuar e tyre vizuale të pengojë në rrugëtimin e tyre artistik!

Stevie Wonder – Lindi në Michigan, gjashtë javë para kohe dhe u bë i verbër si rezultat i retinopatisë së parakohshme, një gjendje që shkakton shkëputjen e retinës.

Talenti dhe prirja për muzikë e Wonder-it ishin të dukshme qysh në fëmijërinë e tij.

Në moshën njëmbëdhjetë vjeç, ai firmosi kontratën e tij të parë dhe u bë i njohur si “Little Stevie Wonder”.

Ndërsa sot, ai konsiderohet si një nga këngëtarët dhe kompozitorët më të suksesshëm të shekullit XX.

Ray Charles (1930-2004) – Ishte një kompozitor dhe muzikant ikonik amerikan, i cili kishte filluar ta humbasë shikimin në moshën katër vjeç, si rezultat i glaukomës së mitur.

Tri vjet më vonë, në moshën shtatë vjeçe, ai ishte plotësisht i verbër.

Me nofkën “Brother Ray” dhe “Genius”, Charles ishte figurë me ndikim në ngritjen e muzikës shpirtërore, një zhanër që lindi nga bashkimi i muzikës “blues” dhe “ungjillit”.

Charles është pjesë e listës së “100 Artistëve më të Mëdhenj të të gjitha kohërave” publikuar nga prestigjiozja, Rolling Stone.

Rod Clemmons – Është një artist me origjinë nga Arkansas, i cili lindi i verbër.

Pavarësisht nga kjo sfidë, ai ishte një fëmijë i talentuar në sferën e muzikës dhe filloi të luante piano në moshën tre vjeçare.

Clemmons, me talentin e tij arriti të fitoj bursë studimi , ku edhe vazhdoi të ndiqte Shkollën e Muzikës “Jacob University of Indiana”.

Sot, ai është një këngëtar, autor këngësh dhe producent i R & B i cili vepron në New York, dhe ka të publikuar një album me titull “What’s Up?”.

Jeff Healy (1966-2008) – I rritur në Kanada, Jeff e përjetoi humbjen e të pamurit që në fëmijëri të hershme, si rezultat i retinoblastomës.

Në moshën tre vjeç, ai filloi të luante kitarë duke e vendosur atë në prehrin e tij, një stil unik i të luajturit që vazhdoi në karrierën e tij muzikore profesionale si këngëtar dhe kitarist xhazi.

Vlen të theksohet se Healy është paraqitur edhe në filmin “Road House” të aktorit dhe regjisorit amerikan, Patrick Swayze.

Nobuyki Tsujii – Është një pianist japonez me talent të jashtëzakonshëm.

I lindur i verbër, ai filloi të luante me vesh në një piano lodër në moshën dy vjeç dhe filloi mësimet e pianos në moshën katër vjeç.

Sot, ai është një pianist i njohur dhe ka fituar çmime të shumta muzikore.

Madje, Tsujii shpesh performon me orkestra dhe dirigjentë nëpër evenimente të ndryshme.

Diane Schuur – Është një muzikante amerikane, e njohur më tepër si këngëtare dhe pianiste e muzikës xhaz.

Ajo lindi e verbër, por përkundër këtij realiteti, Diane filloi të këndonte qysh në moshën tre vjeçare.

Schuur, e mësoi veten të luante piano me vesh pasi u zhgënjye nga muzika braille dhe ajo interpretoi publikisht për herë të parë në moshën dhjetë vjeç.

Ajo është e njohur për një stil muzikor eklektik dhe ka publikuar albume si të xhazit ashtu edhe të muzikës country, si “Heart to Heart”, “Pure Schuur”, “In tribute” e plot të tjerë.

Ronnie Milsap – Është një pianist dhe këngëtar, i famshëm për aftësinë e tij për të tërhequr fansat e muzikës country dhe pop.

Lindur dhe rritur në Karolinën e Veriut, Milsap erdhi në jetë pothuajse plotësisht i verbër për shkak të një çrregullimi të lindur.

Gjatë një fëmijërie shumë sfiduese, Milsap, zhvilloi një dashuri të madhe për muzikën. Rritja e famës së tij ndodhi në vitin 1970, kur ai u transferua në Nashville për të ndjekur një karrierë muzikore.

Dy nga këngët e tij më të famshme janë; “Stranger in My House” dhe “There’s No Getting Over Me”.

Andrea Bocelli – Legjenda e muzikës operistike italiane, po ashtu edhe një këngëtar dhe kompozitor i famshëm, lindi me glaukomë kongjenitale, e cila shkaktoi një humbje të ndjeshme të shikimit.

Ai u bë plotësisht i verbër në moshën dymbëdhjetë vjeç, pas një aksidenti sportiv.

Bocelli ishte një fëmijë i talentuar muzikor, i cili luante flautë, saksofon, kitarë dhe daulle. Ai vazhdoi të bëhet një vokalist i vlerësuar me çmime të operës dhe sot ai po shkruan histori në muzikën italiane.

Jo rrallë herë, zëri i tij është përshkruar si “më i bukuri në botë”.

Në ndërkohë që Andrea Bocelli ka pasur bashkëpunime me emra të mëdhenj të muzikës botërore, disa nga të cilat janë; “If Only” me Dua Lipën, “Amo Soltanto Te” me Ed Sheeran dhe “E Più Ti Penso” me Ariana Grande-n.

Jose Feliciano – Është një këngëtar dhe kompozitor nga Porto Riko, i njohur më së shumti për hitin e tij të Krishtlindjes, “Feliz Navidad”.

Feliciano lindi i verbër, ndërsa talentet e tij muzikore u bënë të dukshme rreth moshës shtatë vjeç, kur ai mësoi veten të luante fizarmonikë, kohë në të cilën edhe filloi të këndonte.

Si i ri, Jose e filloi karrierën e tij muzikore duke performuar në bare dhe klube në qytetet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.

Terri Gibbs – Është një artiste e muzikës country me origjinë nga Miami, e njohur për projektin e saj debutues “Somebody’s Knockin”.

Ajo përfundoi e verbër si foshnjë e porsalindur, për shkak të një aksidenti në inkubator.

Por, përkundër humbjes së shikimit, ajo filloi të luante piano në moshën tre vjeçare dhe vazhdoi të këndonte në një kor të kishës.

Gibbs nisi karrierën e saj si një sensacion i muzikës country, megjithëse fokusi i saj muzikor më vonë u zhvendos tek muzika krishtere bashkëkohore. Ajo ka publikuar trembëdhjetë albume gjatë karrierës së saj muzikore, disa nga të cilët janë; “What a great day”, “Free and Easy” e “No dobut about it”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore