Lajme

Kamberi: Armiqësia mes Kosovës dhe Serbisë, shfryhet tek shqiptarët e Luginës


Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se edhe gjatë vitit 2021 Serbia ka vijuar me politikën diskrimunese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke mos pasur ndonjë përmirësim në jetën e tyre.

“Pozita jonë është e kushtëzuar edhe për shkak të raporteve që Serbia ka me Kosovën, armiqësinë që ka me Kosovën, shfryhet në shqiptarët e Luginës së Preshevës”, deklaroi Kamberi.

Ai thotë se nuk ka pasur rezultate pozitive gjatë vitit 2021.

“Mjerisht mund të them se nuk ka pasur rezultat konkret pozitiv deri në këto momente. Kemi një reagim të çmuar të shefit të misionit të OSBE-së, Jan Braathu, i cili shtyn përpara nevojën dhe domosdoshmërinë e aprovimit të aplikimit të planit shtatë pikësh, një dokumenti të hartuar nga politikat shqiptare në ndërmarrjen e masave emergjente për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve”.

“Por, pavarësisht ndikimit që OSBE mund të ketë në këtë shtet, nuk ka dhënë edhe rezultat. Jemi në pritje, por edhe pritja është e kushtëzuar me çështjen se në Serbi vitin e ardhshëm do të jenë zgjedhjet”, tha ai.

Lugina e Preshevës.

Ndërsa, ka fajësuar Bashkimin Evropian për mosrespektimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi nga ana e shtetit serb.

“Përkundër dhjetë viteve bisedimeve, përkundër shumë marrëveshjeve të arritura, BE-ja nuk po arrin të detyrojë, apo ta bind Serbinë, që ato marrëveshje të respektohen. Prandaj mbetet shpresa që e vetmja fuqi shtytëse janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai thotë se BE nuk mund të ketë rolin vetëm të lehtësuesit, por edhe atë të garantuesit për zbatimin e marrëveshjeve.

“BE-ja nuk mund të luajë rolin vetëm të lehtësuesit. Kur ata thonë se ‘do të lehtësojmë bisedimet’, çfarë nënkupton? ‘Do të sjellin ujë të ftohtë në tavolinë, do të sjellin klimatizim’. Esenca nuk është këtu, një ndërmjetësues aq i fuqishëm si Bashkimi Evropian do të duhej të trasojë rrugën në të cilët palët duhet të ecin”.

Ai konsideron se një marrëveshje e tillë nuk mund të vij përderisa Serbia mohon krimet e luftës.

“Nuk mund të vij derisa në Serbi ka klimë e cila mohon krimet e luftës, e cila mohon ekzistimin e varrezave masive, e cila ka një politikë vitet e fundit të glorifikimit të kriminelëve të luftës”, shprehet ai në intervistën për KosovaPress.

Sa i përket iniciativës “Open Balkan”, kreu i Partisë për Veprim Demokratik theksoi se nuk mund të jetë e plotë një iniciativë ku nuk përfshihen edhe tri shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Kjo iniciativë sado të jetë e vullnetit të mirë, sa do të jetë një dëshirë e të ardhmes së popujve të Ballkanit, po sfidohet rrezikshëm nga bota serbe, nga koncepti politik i botës serbe i cili po shohim po sfidon në Mal të Zi demokracinë duke tentuar që përmes keqpërdorimit të kishës serbe të ndryshohet pushteti atje”.

Kamberi shton se, “tentativa e Serbisë për të destabilizuar Kosovën dhe përmes serbëve të manipuluar që jetojnë në pjesën veriore, janë sfidat kryesore që po i bëhen këtij koncepti”, shprehet ai.

Në prill të vitit 2022 i do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Serbi.

Shaip Kamberi pret nga shqiptarët e Luginës që të garojnë sërish së bashku dhe të jenë katër deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë.

Por, nuk pret ndryshime në zgjedhjen e presidentit, meqë sipas tij, “nuk do të ketë kandidatë që do e sfidojnë Aleksandër Vuçiçin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore