Sport

Juventus, revolucioni nis me Allegri-n


Mediat më të mëdha sportive në Europë, po i japin gjithnjë e më shumë zë ribashkimit të Massimiliano Allegri-t me Juventus-in. Ish-tekniku i bardhezinjëve pritet të jetë në krye të pankinës, duke i dhënë një rol të rëndësishëm në revolucionin e klubit.

Allegri ka gati 700 ditë që nga momenti që është larguar nga Juventus-i, klub me të cilin fitoi pesë tituj të Serisë A. Tekniku është parë shpesh në Torino kohët e fundit dhe është takuar me Presidentin e Juventus-it, Andrea Agnelli-n.

Me ardhjen e Allegri-t në stolin e bardhezinjëve, priten dy largime të mëdha në bordin drejtues. Fabio Paratici, drejtori sportiv dhe zëvendëspreseidenti Pavel Nedved-i do largohen pasi shikohen si faktor të rëndësishëm në dështimin e Juventus-it dhe marrëdhënien me Allegri-n nuk e kanë të mirë.

Përflitet se zëvendësuesit e dyshes Paratici – Nedved do të jenë dyshja legjendare e sulmit bardhezi David Trezeguet-i dhe Alessandro del Piero. Por, gjithashtu Allegri-t pritet t’i lihet dorë e lirë në merkato, për përzgjedhjen e lojtarëve.

Livornezi ishte pranë kalimit te Roma, por gjithçka ka ngrirë tashmë dhe verdhekuqtë kane rritur kontaktet me ish-teknikun tjetër bardhezi, Maurizio Sarri-n. Giovanni Galeone, ish-trajner dhe miku i Allegri-t ka pohuar se Allegri po shkon në Torino.

“Ndjenja ime është se Allegri po kthehet te Juventus-i. Heshtja dhe dëshira e tij për t’u kthyer më bëjnë të besoj se ka diçka konkrete”, tha Galeone.

Allegri te Juventus-i pritet të sjelli revolucionin të lojtarët. Paulo Dybala-s i janë rritur shanset e rinovimit, pasi thuhet se do të jetë në qendër të projektit Allegri, raporton Corriere Torino.

Cristiano Ronaldo pritet të largohet nga Juventus-i, së bashku me Adrien Rabiot-in dhe Aaron Ramsey-n. Ndër të preferuarit e Allegri-t te Juventus-i aktual, që kanë qenë edhe më parë nën drejtimin e tij janë: Juan Cuadrado dhe Rodrigo Bentancur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore