Lajme

Josep Borrell: Baku dhe Jerevani të hapin rrugën për lirimin e të arrestuarve të tjerë armenë


Në një deklaratë të publikuar të dielën e 13 qershorit, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, përshëndet lirimin e 15 të arrestuarve armenë nga Azerbajxhani.

“Bashkimi Evropian mirëpret veprimet e ndërmarra nga Armenia dhe Azerbajxhani dhe të lehtësuara nga Gjeorgjia që çuan në lirimin nga Azerbajxhani të 15 të arrestuarve armenë dhe dorëzimin nga Armenia të hartave të zonave të minuara të shtunën”, shkruhet në reagim.

Sipas Borrell, këto janë gjeste të rëndësishme humanitare dhe të ndërtimit të besimit nga Baku dhe Jerevani. Ai shtoi se shpreson që këto nisma do të hapin rrugën për bashkëpunim të mëtejshëm midis palëve dhe lirimin përfundimtar të të gjithë të arrestuarve armenë.

“Bashkimi Evropian dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë kanë inkurajuar në mënyrë aktive lëvizjet në këtë drejtim dhe ne kërkojmë bashkëpunim të mëtejshëm midis vendeve të përfshira”, nënvizon deklarata.

Sakaq, Borrell u angazhua duke thënë se do të vazhdojmë të promovojmë një zgjidhje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të konfliktit.

Në fund ai përsëriti thirrjen ndaj Armenisë dhe Azerbajxhanit që të ri-angazhohen në negociata thelbësore nën kujdesin e OSBE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore