Lajme

Jevtiç: “Kurti s’do ta formojë Asociacionin, do bëjë gjithçka ta ndalojë”


Dalibor Jevtiç

Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiç, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk do ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, por përkundrazi “do të bëjë gjithçka që kjo të mos ndodhë”.

Këto komente zyrtari i lartë i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit – i bëri në prag të takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që pritet të mbahet më 14 shtator.

Jevtiç pretendon se bashkësia ndërkombëtare, “për fat të keq, Brukseli deri më tani është treguar i dobët për sa i përket garancive se do të zbatohet ajo që është rënë dakord”.

“Ende nuk është zbatuar, atëherë nuk mund të pres ndonjë rezultat tjetër nga dialogu”, shtoi, transmeton media serbe me seli në Kosovë “KosovoOnline”.

Sipas tij, sa herë që vjen një raund i ri i dialogut, “në terren kemi gjithnjë e më shumë probleme, incidente, sulme, më shumë aksione policore me pretekste të ndryshme dhe arrestime të serbëve”.

Ish-ministri për Komunitete dhe Kthim pohon se nga “pozita e serbëve dhe Serbisë, dialogu nuk ka alternativë”.

“Interesi ynë është paqja dhe që të gjitha problemet të zgjidhen me dialog, sepse ky është shansi ynë që realisht t’i zgjidhim problemet që na pengojnë mbijetesën në një mënyrë ndryshe nga ajo që kemi aktualisht për situatën”, pretendoi Jevtiç.

Një nga takimet e mëparshme të Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç.

Më 14 shtator, Brukseli do të pres Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilët kanë katër muaj pa u takuar.

Kurti dhe Vuçiç do të takohen me ndërmjetësimin e BE-së.

Ky takim i dy liderëve të shteteve përkatëse vjen pas diskutimeve që Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i ka pasur me secilin prej tyre, veçmas.

Pas pushimeve të verës, diplomatët amerikano-evropianë kanë shtuar përpjekjet e tyre më të fuqishme diplomatike për të zgjidhur problemin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Dy vendet fqinje kishin nënshkruar një marrëveshje fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, dhe e përforcuar me aneks më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ngjarjet e krijuara në Veriun e Kosovës që nga 26 maji kanë lënë në hije zbatimin e saj.

Prandaj edhe përpjekjet e vendeve perëndimore janë në këtë kontekst; që të zbatohet ajo që është nënshkruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore