“Jemi të shqetësuar”, QUINT për rastin e Klan Kosovës: Do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik
Ambasadat e Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, të njohura ndryshe si vendet e QUINT-it, kanë reaguar ndaj vendimit që Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.
Përmes një komunikate zyrtare, vendet e QUINT-it thanë se shprehin shqetësimin e tyre “të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës”.
“Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë”, pohuan ata, duke shtuar se “revokimi i licencës së çdo medie është një hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz”.
Ndërkaq, nga QUINT-i u theksua se “liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike”.
“Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e situatës”, përfunduan reagimin e tyre.
Çka ndodhi?
Televizioni më i madh në Kosovë “Klan Kosova” mund të mbyllet krejtësisht, pasi Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka njoftuar se ka refuzuar ankesën e televizionit për rikthimin e licencës së operimit.
Sipas njoftimit të MINT “ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”.
Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës.
“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhet në njoftim.
Çka ndodhi me Klan Kosovën?
Më 14 qershor, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.
“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes”, thuhej në njoftim.
Sipas MINT, në bazë të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.
Komisioni i Pavarur për Media (KPM), pas një takimi që ka mbajtur më 16 qershor, i kishte dhënë afat prej 30 ditësh televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kishte bërë thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.
Shtatë organizata kryesore ndërkombëtare për lirinë e mediave dhe grupet e gazetarëve kishin bërë thirrje që certifikata e përditësuar e biznesit të Klan Kosovës të pranohet nga komisioni i ankesave.
Po ashtu, kishin kërkuar që të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i bërë presion medias.
Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Hovenier viziton në Leposaviq ushtarët amerikanë të KFOR-it
-
Varshava do të shpenzojë 2.3 miliardë për të forcuar kufirin e saj me Ukrainën
-
Nikolla takim me senatorin Casini: Italia mbështet përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE
-
Hasani takim me Kaja Kallas: Diskutime për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe
Lajmet kryesore
-
Dekarbonizimi i ndërmarrjeve energjetike të BP-së: Plane ambicioze por fleksibël, me fokus në investime dhe teknologji të reja
-
Arrestohet IT i Gjykatës së Korçës, kancelarinë e ktheu në bazë prodhimi të dokumenteve false
-
Varshava do të shpenzojë 2.3 miliardë për të forcuar kufirin e saj me Ukrainën
-
Serwer: S’ka kuptim që Kosova të kushtëzohet me themelim të Asociacionit për t’u anëtarësuar në KiE