Sport

Kosovë: Ismet Krasniqi merr zyrtarisht detyrën e presidentit të KOK-ut


Ish-presidenti i deritashëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ia ka dorëzuar zyrtarisht detyrën e udhëheqjes së KOK-ut, tashmë presidentit të ri, Ismet Krasniqit.

Hasani, që ka drejtuar KOK-un prej vitit 1996, e ka uruar presidentin e ri Krasniqi për marrjen e detyrës, duke i uruar suksese në mandatin e ardhshëm katër-vjeçar.

“Ju dëshiroj punë të mbarë dhe suksese. Uroj që përkujdesi dhe përkushtimi juaj të jetë maksimal. Stafin që është këtu e kam lutur që të angazhohet edhe më shumë se sa me mua, vetëm e vetëm që kjo foshnje (KOK-u) gjashtë-vjeçare të rritet shëndetshëm dhe të bëhet i fuqishëm”, theksoi Besim Hasani.

Ish-presidenti Hasani, ndër të tjera tha se është i gatshëm për të dhënë kontributin e tij për KOK-un sa herë që t’i kërkohet.

Nga ana e tij, presidenti i ri i KOK-ut, Ismet Krasniqi falënderoi Hasanin për punën e bërë, duke i vlerësuar lartë fjalët e tij.

“Këto fjalë që mi thatë nuk do t’i harrojë kurrë dhe u premtoj se do të japim maksimumin për t’i mbajtur. Është e vërtetë që Komiteti Olimpik i Kosovës është një foshnje, por ne do të angazhohemi për ta rritur dhe për ta zhvilluar edhe më shumë’”, tha mes tjerash presidenti Krasniqi.

Të pranishëm në ceremoninë e dorëzim-pranimit ishin edhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj dhe nënpresidenti Gazmend Maxhuni.

Kujtojmë që Ismet Krasniqi u zgjodh president i ri në Asamblenë Zgjedhore, të mbajtur më 25 mars 2021, i cili siguroi 53 vota të delegatëve, duke e lënë mbrapa me 41 vota Besim Hasanin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore