Lajme

“Ishte rrugë e gjatë, por ia dolëm”, Fajon: Qytetarët së shpejti do të gëzojnë përfitimet e lëvizjes pa viza


Tanja Fajon

Ish-raportuesja e Parlamentit Evropian për çështjen e vizave, Tanja Fajon, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, ka mirëpritur marrëveshjen mes Këshillit Evropian dhe PE-së lidhur me heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Edhe pse Fajon kishte deklaruar qysh në vitin 2018 se qytetarët e Kosovës janë edhe një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë, pasi PE-ja më 13 shtator të po atij viti ishte pajtuar që të hapë bisedimet për heqjen e regjimit të vizave, procesi mori më shumë kohë se sa pritej.

“Ishte një rrugë e gjatë dhe me gunga”, kujton Fajon, “por ne ia dolëm”.

“Liberalizimi i vizave ishte qëllimi i shumëpritur. Jam e kënaqur që qytetarët së shpejti do të gëzojnë përfitimet e saj. E merituar”, shtoi ajo, e cila gjithmonë kishte deklaruar se “nuk do të ndalem derisa të liberalizohen vizat”.

Ndryshe, të mërkurën ekipet negociatore të PE-së dhe të Këshillit kanë arritur marrëveshjen e shumë pritur për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe kështu i gjithë Ballkani Perëndimor do të ketë kornizë të njëjtë vizash në raport me Zonën Schengen.

Bashkëligjvënësit e kanë mirëpritur progresin e Kosovës në rrugëtimin për liberalizimin e vizave ndërsa institucionet inkurajohen të harmonizojnë politikën e saj të jashtme të vizave “me atë të BE-së, dhe shtetet anëtare që nuk kanë ende marrëveshje apo marrëveshje ripranimi me Kosovën duhet të lidhin marrëveshje të tilla”.

Ashtu siç kishte njoftuar edhe vetë raportuesi aktual i PE-së për çështjen e vizave, Thijs Reuten, negociatat me presidencën çeke filluan para Krishtlindjeve për të përfunduar sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndryshe, në takimin e fundit të Komitetit të Përhershëm të Përfaqësuesve të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER), propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën ishte miratuar pa diskutim, pasi me propozimin që liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, vendet anëtare të BE-së ishin pajtuar më 22 nëntor.

Paraprakisht, Republika Çeke – e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së – kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023, por Spanja – njëra prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës – nuk u pajtua.

Gjatë takimeve të Grupit të Punës për vizat, të mbajtura në muajin tetor dhe nëntor, vendet anëtare ranë dakord për projekt-propozimin, i cili përfshinte “kushtëzimin” francez, që liberalizim i vizave të lidhej me funksionalizimin e sistemit ETIAS-it (Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit).

Në rast se ETIAS, një sistem i krijuar rishtas me qëllim për të përmirësuar sigurinë dhe për t’u mundësuar autoriteteve në Zonën e Shengenit që të mbajnë gjurmët e shtetasve të vendeve të treta që hyjnë pa viza në Evropë, nuk funksionon brenda afatit të caktuar, vizat për qytetarët e Kosovës duhet të hiqen jo më vonë se data e propozuar sipas versionit të mëparshëm.

Tani propozimi për vizat i ka kaluar për herë të parë Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së për miratim me anë të shumicës së kualifikuar.

Albanian Post ka raportuar me 5 nëntor ekskluzivisht se “Kosovës do t’i liberalizohen vizat shumë shpejt, pasi është arritur edhe pajtim mes Brukselit dhe Kosovës”.

Atëherë me burime, AP shkruante se Brukseli zyrtar ka marrë pëlqimin e të gjitha ministrive të shteteve anëtare dhe Këshilli i Ministrave do të vendosë pozitivisht për këtë çështje.

Kujtojmë se pas rekomandimit të parë të Komisionit të BE-së heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës në vitin 2018, PE-ja ka shprehur mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën në disa raste gjatë viteve të fundit.

Së fundmi, PE-ja miratoi një rezolutë për politikat e zgjerimit të BE-së, në të cilën i bëri thirrje Këshillit të BE-së që “të japë liberalizimin e vizave për Kosovën – pa vonesë”.

Në rast se procedura shkon sipas planit dhe propozimi miratohet si në PE ashtu edhe në Këshillin e BE-së, para se të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave, Kosova duhet të ndërmarrë hapa shtesë në muajt e ardhshëm.

Ndryshe, Kosova e ka nisur rrugëtimin e saj drejt liberalizimit para 12 viteve. Premtimet e shpeshta të politikanëve kosovarë se liberalizimi i vizave do të ndodhte “shumë shpejt”, gazi lotsjellës në Kuvend dhe protestat masive në sheshet kryesore të Prishtinës ishin vetëm disa nga zhvillimet kryesore që karakterizuan procesin.

Eurodeputeti holandez zbulon detajet e liberalizimit të vizave: Filluam negociatat sapo Holanda dhe Franca hoqën bllokadat e tyre

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore