Lajme

Ish-zyrtarja serbe: Në xhepat e Vuçiçit ka para nga droga, duhet të shkojë në burg


Aleksander Vucic dhe Aleksander Vulin

Stanislava Pak, ish-anëtare e Partisë Progresive Serbe dhe ish-këshilltare për media e presidentit të mëparshëm të Serbisë, Tomislav Nikoliç, nëpëprmjet një cicërime në llogarinë e saj në “Twitter”, ka thënë se përgjegjës për korrupsionin masiv në Serbi është presidenti i tanishëm, Aleksandër Vuçiç, i cili edhe duhet të shkojë në burg.

Kështu ka vlerësuar ajo, pas njoftimit të Departamentit amerikan të Shtetit se ka vendosur sanksione ndaj kryespiunit serb, Aleksandër Vulin, i cili akuzohet për avancimin e korrupsionit në majat e pushtetit, trafikimin e armëve dhe të drogës e krimin e organizuar transatlantik.

“Në xhepat e Vuçiçit ka para nga droga, tregtia ilegale e armëve dhe nga qytetarët e grabitur. Në momentin që pushteti i uzurpuar kthehet në duart e prokurorëve kompetentë, të gjithë të përfshirët shkojnë në burg. Ju do t’i përgjigjeni personalisht thirrjes së vendeve perëndimore dhe turpërimin e të gjithë kombit”, ka shkruar ajo.

E presidenti serb ka thënë se është “jashtëzakonisht e rëndësishme” të kryhet një hetim ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), pas vendosjes së sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ka shtuar se “kokaina nuk është gjetur në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë”.

“Unë nuk e vura re që kokaina është gjetur në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë. Por mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim”, ka deklaruar Vuçiçi të mërkurën në reagimin e tij të parë pas sanksioneve ndaj zyrtarit të lartë serb.

Vulini njihet për deklaratat e tij etno-nacionaliste dhe irredentiste rreth krijimit të të ashtuquajturës “botë serbe”, e cila, sipas tij, do të bashkonte “të gjithë serbët” në një shtet të vetëm dhe për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë e me veçanërisht me presidentin rus, Vladimir Putin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore