Lajme

Ish-zëdhënësi i NATO-s: Kurti të tërhiqet nga retorika nacionaliste – Serbia të heqë dorë nga nostalgjia e saj për Jugosllavinë


Jamie Shea

Ish-zëdhënësi i NATO-s në kohën e luftës në Kosovë, Jamie Shea, në një shkrim autorial të publikuar në “Friends of Europe” – think tank për analizën e politikave të Bashkimit Evropian – ka dhënë disa ide për qetësimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Profesori i Strategjisë dhe Sigurisë në Universitetin e Exeter në Britaninë e Madhe, konsideroi se së pari, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të tërhiqet nga “retorika e ngushtë nacionaliste” dhe të ndryshojë qasjen sa i përket komunikimit me komunitetin serb në Kosovë.

“Çdo herë që liderët kosovarë flasin për komunitetin serb, flasin vetëm për dhunën dhe ngatërrestarët, si dhe përfshirjen e Beogradit, në vend se të kuptojnë ankthin e serbëve dhe të ndërmarrin hapa për t’iu qasur atyre pozitivisht”, shkroi Shea.

Ai theksoi se Qeveria e Kosovës të komunikojë më mirë me serbët dhe t’i bindë ata se të drejtat e tyre themelore do të respektohen dhe se ata kanë një të ardhme pozitive në Kosovë, ndërsa shtoi që nëse komuniteti serb përshkruhet si “tufë rebelësh”, nuk është befasi që ata të fillojnë të sillen ashtu.

“Duke bindur policinë serbe, personelin e sigurisë, po ashtu edhe zyrtarët që të rikthehen në pozitat e tyre pa ndonjë sanksion, është hapi i parë për ndërtimin e një besimi mes shumicës dhe minoriteteve”, shkroi Shea në artikullin e tij të titulluar: “Kosova: një rast i keq i udhëheqjes së dobët”.

Cështja tjetër apo hapi i dytë që duhet ta ndërmarrë Qeveria e Kosovës është të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, e cila, sipas tij, gjenezën e ka te pakoja gjithëpërfshirëse e ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari, me të cilin erdhi edhe pavarësia e Kosovës.

“Prishtina duhet të merret me çështjet ligjore dhe kushtetuese, jo të fshihet pas tyre por të pajtohet për një format dhe ta zbatojë atë. Ashtu si me të gjitha format e devolucionit, ai nuk duhet të jetë fjala përfundimtare, por mund të modifikohet me zhvillimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë”, shkroi Shea.

Shea ndër të tjera theksoi se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të angazhohen në diskutime me palën serbe dhe të nxisin autoritetet atje të miratojnë një qëndrim më konstruktiv ndaj Kosovës dhe të pajtohen me realitetin.

“Retorika e fryrë dhe ekzagjerimet në lidhje me situatën e serbëve etnikë në Kosovë vetëm sa i hapin dyert makinerive propagandistike ruse dhe kineze për të nxitur këtë narrativë dhe për të demonizuar Prishtinën”, shkroi Shea, ndërsa shtoi se “obsesioni” i Serbisë me Kosovën është i dëmshëm për zhvillimin e demokracisë.

“Është koha e fundit që Serbia të heqë dorë nga nostalgjia e saj për Jugosllavinë e vjetër dhe mundësinë që i dha Beogradit për të ushtruar hegjemoninë mbi fqinjët e saj”, argumentoi ai, teksa nënvizoi se shteti serb duhet të fokusohet në sfidat e tij të brendshme dhe modernizimin e ekonomisë.

Megjithatë, sipas tij, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është mundësia e fundit që mund të detyrojë Kosovën dhe Serbinë të pranojnë kompromiset e nevojshme që “liderët nacionalistë” nga të dyja vendet nuk duan t’i bëjnë.

“Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë procesin e anëtarësimit për Prishtinën, në mënyrë që ajo të arrijë deri në rrugën e anëtarësimit të Beogradit. Përderisa Serbia është shumë përpara në negociatat e saj me Brukselin, në rastin më të mirë do ta trajtojë Kosovën si një partner të vogël dhe të pabarabartë”.

Në këtë mënyrë, ai pohoi që nëse proceset e të dy vendeve janë të ndërlidhura me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve, të dyja shtetet do të përfitojnë dhe do të nxiten më shumë që të bashkëpunojnë dhe t’i koordinojnë veprimet.

Kosova rrezikon të renditet në mesin e atyre pak shteteve që janë nën sanksionet amerikane dhe ende po mbrohet nga zyrtarët amerikanë, sëpaku nga terminologjia e përdorur, ndërsa kryeministri Kurti është i pari lider që merr një ultimatum nga administrata amerikane.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera partnere të QUINT-it – Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe – për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë, fajtore e kanë bërë Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti.

Me sanksione/pasoja tepër serioze është kërcënuar Qeveria e Kosovës po që se nuk përmbush tri kërkesa “të qarta” të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në veri të, ndërsa e presin një përgjigje pozitive deri të premten.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale në veri dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ia kanë paraqitur autoriteteve kosovare.

Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që t’i dëgjojë kërkesat e serbëve lokalë dhe të pajtohen për rizgjedhje në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, pas tensioneve të fundit atje. Por me kusht që serbët të mos i bojkotojnë ato si herën e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore