Lajme

Ish-deputeti i PDK-së publikon një dokument për lirimin e Kurtit nga burgu në Serbi


Ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Gani Koci

“Albin Kurti duhet ta dërgojë në prokurori edhe vendimin e Koshtunicës për lirimin e paligjshëm të tij nga mbajtja e dënimit me burg”.

Kështu ka shkuar në Facebook, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Gani Koci, i cili ka publikuar një dokument të nënshkruar nga ish-kryeministri i Serbisë, Vojsllav Kushtunica, që flet për lirimin nga burgu në Serbi të Albin Kurtit në vitin 2001.

Dokumenti i publikuar nga ish-deputeti i PDK-së, Gani Koci

Postimi i këtij dokumenti nga Koci vjen pasi dy ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “marrëveshja me NATO-n, përmes shkëmbimit të letrave, ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme”.

“Unë vazhdoj t’i qëndroj pas asaj që kam thënë në vitin 2020. Unë nuk kam akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së për shkëmbim të letrave dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij”, tha Kurti të enjten në Kuvend.

Për këtë ujdi ai ka akuzuar ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

“E kam akuzuar titullarin e mëhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës që kanë dhënë firmën në një shkresë  të tillë”.

“Një problem që i ka rrënjët 8 vjet më parë nuk mund të adresohet e rregullohet me një takim të vetëm. Atëherë çështjen e kam referuar në prokurori dhe i mbetet prokurorisë. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe NATO-së do të vazhdojnë që të thellohen”, kishte deklaruar Kurti.

Çfarë ishte ajo “marrëveshje sekrete”?

Kurti, në mandatin e tij të parë, pati publikuar një letër ku pretendon se Thaçi në vitin 2013 në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, kishte bërë marrëveshje sekrete me NATO-n, që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të hyjë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

Letrën Kurti ia kishte dërguar kryetares së Kuvendit të Kosovës atëherë, Vjosa Osmani, ku mes tjerash Kurti ngriste edhe çështjen e shkarkimit të Presidentit, nëse siç pohonte “konstatohet se ai ka bërë shkelje kushtetuese”.

Shkëmbimi i letrave ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen, ishte bërë me 19 prill të vitit 2013.

“Përmes kësaj marrëveshjeje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”, thuhet në letrën e Kurtit që ia kishte dërguar Osmanit.

“Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së Kryeministrit”.

Kurti në letër gjithashtu thoshte se i ka kërkuar stafit të Zyrës së tij që të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 [Bartja e sovranitetit], nenin 18 [Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare] dhe nenin 91 [Shkarkimi i presidentit].

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore