Kosova

Kurti: Marrëveshja me NATO-n ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme


Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Marrëveshja me NATO-n, përmes shkëmbimit të letrave, ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur është pyetur në seancën parlamentare nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Nura rreth kësaj çështje.

“Marrëveshja në fjalë që ka qenë një shkëmbim i letrave që ju e përmendet, ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e qytetarëve të Kosovës. Unë vazhdoj t’i qëndroj pas asaj që kam thënë në vitin 2020. Unë nuk kam akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së për shkëmbim të letrave dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij”, tha Kurti.

Por, për këtë marrëveshje ai ka akuzuar ish presidentin Hashim Thaçi.

“E kam akuzuar titullarin e mëhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës që kanë dhënë firmën në një shkresë  të tillë.  Një problem që i ka rrënjët 8 vjet më parë nuk mund të adresohet e rregullohet me një takim të vetëm. Atëherë çështjen e kam referuar në prokurori dhe i mbetet prokurorisë. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe NATO-së do të vazhdojnë që të thellohen”, ka deklaruar kryeministri.

Sërish deputeti Nura ka marr fjalën duke i thënë kryeministrit se nuk iu ka përgjigj pyetjes së bërë, madje e ka ‘bishtuar’ pyetjen e tij.

“Në marrëveshje të vitit 2019 janë dy titullar, sepse është nënshkruar nga dy persona. Ju a e përkrahni këtë marrëveshje si kryeministër apo jo?”, ka ripyetur Nura.

Prapë kryeministri Kurti është përgjigjur duke thënë se marrëveshja në fjalë mes Kosovës dhe NATO-s vazhdon të jetë marrëveshje e dëmshme dhe se ajo nuk mund të rregullohet nga një takim i vetëm dhe se kjo marrëveshje është e trashëguar.

“Unë u përgjigja që kjo është një marrëveshje është e dëmshme që e kemi trashëguar si shumë fakte të mëhershme. Nuk mund ta rregullojë një të keqe të madhe me një takim të vetëm… Më 19 prill 2013 ka nënshkruar ish-kryeministri i Kosovës me ish—kryeministrin e Serbisë në 15 pika, gjashtë prej të cilave i referohen Zajednicës. Aty janë rrënjët e së keqes. Aty kanë qenë dy marrëveshje. Një që është bërë me BE-në, dhe një me NATO-n e që nuk është sjellë kurrë në Kuvendin e Kosovës as për ratifikim”, ka thënë ai.

 

Çfarë ishte ajo “marrëveshje sekrete”?

Kurti, në mandatin e tij të parë, pati publikuar një letër ku pretendon se Thaçi në vitin 2013 në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, kishte bërë marrëveshje sekrete me NATO-n, që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të hyjë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

Letrën Kurti ia kishte dërguar kryetares së Kuvendit të Kosovës atëherë, Vjosa Osmani, ku mes tjerash Kurti ngriste edhe çështjen e shkarkimit të Presidentit, nëse siç pohonte “konstatohet se ai ka bërë shkelje kushtetuese”.

Shkëmbimi i letrave ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen, ishte bërë me 19 prill të vitit 2013.

“Përmes kësaj marrëveshjeje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”, thuhet në letrën e Kurtit që ia kishte dërguar Osmanit.

“Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së Kryeministrit”.

Kurti në letër gjithashtu thoshte se i ka kërkuar stafit të Zyrës së tij që të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 [Bartja e sovranitetit], nenin 18 [Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare] dhe nenin 91 [Shkarkimi i presidentit].

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore