Aplikacione

Instagram-i nxjerr mjete të reja të mbikëqyrjes prindërore


Platforma Instagram po nxjerr mjete të reja që prindërit t’i përdorin për ndihmesë në monitorimin dhe kufizimin e përdorimit të aplikacionit për ndarjen e fotografive nga fëmijët.

Lëvizja vjen disa muaj pasi zbulimet nga një informator i Facebook-ut ngritën shqetësime për ndikimin e platformës te përdoruesit më të rinj.

Mjetet e reja të publikuara u ofrojnë prindërve mundësinë për të parë se sa kohë kalojnë fëmijët e tyre në Instagram dhe për të vendosur kufizime në përdorimin e tyre, si dhe dukshmëri në llogaritë që ndjekin ose ndiqen.

Aktualisht, opsionet janë të disponueshme për prindërit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me plane për t’u përhapur globalisht në muajt e ardhshëm.

Ato u njoftuan më parë në një postim në blog nga kreu i Instagram-it, Adam Mosseri, në fund të vitit të kaluar.

Atë vit, denoncuesja e Facebook-ut, Frances Haugen, zbuloi qindra dokumente të brendshme, duke përfshirë disa që tregonin se kompania ishte në dijeni të mënyrave se si Instagram-i mund të dëmtojë shëndetin mendor dhe imazhin e trupit.

Pas kësaj, drejtuesit e kompanisë e gjetën veten në seancat dëgjimore.

Në muajt e ardhshëm, prindërit do të jenë në gjendje të përcaktojnë orë specifike të ditës që adoleshenti mund të përdorë aplikacionin.

Mosseri ka treguar se adoleshentët do të duhet të nisin procesin e mbikëqyrjes për Instagram-in në smartphone-in ose tabletin e tyre.

Të rriturit do të jenë në gjendje të kërkojnë mbikëqyrjen e llogarisë së adoleshentit nëpërmjet aplikacionit celular ose faqes së internetit duke filluar nga qershori.

 

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore