Boterori 2022

Ibrahimovic: Mendoj se Messi do ta fitojë botërorin, tashmë është shkruar


Zlatan Ibrahimovic, sulmuesi 41-vjeçar suedez që luan për AC Milan, pretendon se ai e di se kush do të fitojë finalen e Kupës së Botës në Katar 2022 dhe se rezultati “është i shkruar”.

“Unë mendoj se është shkruar tashmë se kush do të fitojë”, u tha Ibrahimovic gazetarëve përpara finales së Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës, menjëherë pasi francezët eliminuan Marokun në gjysmëfinale.

“E dini kë dua të them…” u përpoq të lë të kuptohet Ibra, pa sukses, në stadiumin Lusail. Më pas vendosi të flasë qartë.

“Mendoj se Messi do ta ngrejë trofeun, tashmë është shkruar”.

Sulmuesi suedez beson se triumfi i Lionel Messit me Argjentinën është “i pashmangshëm”.

Ibrahimovic tha së fundmi në një intervistë dhënë për 433 se ai “shpreson që Argjentina të fitojë Kupën e Botës për shkak të Messit”.

Zlatan dhe Messi luajtën së bashku te Barcelona midis 2009 dhe 2011, kur Ibrahimovic shkoi në Itali për të nënshkruar kontratën e tij të parë me Milan-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore