Lajme

Hovenier: Domethënëse të festojmë 4 korrikun në Prishtinë


Jeff Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka falënderuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për organizimin e festës së 4 korrikut – Dita e Pavarësisë së SHBA-ve.

“I nderuar të marr pjesë në festën e 4 Korrikut të Komunës së Prishtinës për ditën e Pavarësisë së SHBA-së. Faleminderit Perparim Rama që ftove ekipin tim dhe mua – është domethënëse për ne që të jemi në gjendje të festojmë për pavarësinë e vendit tonë me kolegët dhe miqtë ndërsa jemi jashtë vendit”, ka shkruar ambasadori Hovenier.

Në përvjetorin e 247-të të krijimit të shtetit amerikan edhe objekti i Presidencës së Kosovës është ndriçuar me flamurin e SHBA-ve – populli shqiptar i Kosovës vazhdon t’i jetë mirënjohës atij të SHBA-ve për ndihmën e dhënë para dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Në Prishtinë janë ngritur tre shtatore të personaliteteve të SHBA-ve – Presidentit të 42-të Bill Clinton, Sekretares së Shtetit Madeleine Albright dhe senatorit Bob Dole – ndërsa me emrin e Presidentit të 43-të George Bush është pagëzuar edhe një bulevard në qendër të kryeqytetit.

Megjithatë, amerikanë e kanë përjashtuar Kosovën nga stërvitjet ushtarake ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO-ja – Defender Europe 2023 – duke e cilësuar këtë si masën e parë ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të moszbatimit të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare për uljen e tensioneve në veri të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore