Lajme

Hoti: Tenderët njëburimor janë rritur si kurrë më parë, shteti po paguan më shtrenjtë për kontratat


Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se tenderët njëburimor në Prokurimin Publik janë rritur si kurë më parë, gjë që, sipas tij, është konstatuar edhe nga Raporti i fundit i Bashkimit Evropian për Kosovën ku theksohet se 21 për qind e prokurimeve janë kryer përmes negocimit pa procedurë të hapur tenderuese.

“Vlera e kontratave të nënshkruara me negocim është 78 milionë euro, apo 14 për qind e gjithë vlerës së kontratave të nënshkruara. Me siguri shumë të madhe, shteti po paguan më shtrenjtë krahasuar me tenderimin e hapur me shumë oferta”, ka shkruar Hoti në platformën sociale, Facebook.

Në vlerësimin e Hotit një problem tjetër në fushën e prokurimit publik në Kosovë është edhe numri i ankesave që ofertuesit dorëzojnë në Organin Shqyrtues të Prokurimit është shumë i lartë.

“Shumë prej ankesave miratohen, duke i detyruar institucionet publike të rivlerësojnë ofertat, apo të anulojnë aktivitetin e prokurimit. Pasojat e kësaj janë investimet kapitale më të ulëta historikisht në Kosovë”.

Prandaj, sipas Hotit, është tepër e nevojshme që fillimisht të ndërmerret një auditim gjithëpërfshirës për këtë problematik si dhe të aktivizohen mekanizmat e hetimi parlamentar për të ekzaminuar këtë problem, i cili potencialisht po i kushton buxhetit miliona euro humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore