Lajme

Homoseksualiteti nuk është krim, disa peshkopë e kanë gabim, thotë Papa Françesku


Papa Françesku ka rikujtuar se Zoti i do të gjithë fëmijët e tij ashtu siç janë.

Për këtë arsye ai i konsideron të padrejta ligjet që kriminalizojnë homoseksualitetin, duke i ftuar peshkopët të mirëpresin personat LGBTQ në Kishë.

Ai ka thënë në një intervistë për “Associated Press” se të jesh homoseksual “nuk është krim”.

Ai ia atribuon qëndrimet e tilla sfondit kulturor dhe argumenton se peshkopët në veçanti kanë nevojë për një proces ndryshimi për të njohur dinjitetin e secilit.

Papa i cilëson “të padrejta” ligjet që kriminalizojnë homoseksualitetin duke argumentuar se Kisha Katolike është thirrur të punojë për t’i dhënë fund.

Ai ka treguar se është i vetëdijshëm që fillimisht zgjedhja e tij u prit me një ndjenjë befasie. Dhe se momenti më i sikletshëm nisi kur filluan t’i shihnin defektet.

Protestat e kardinalëve dhe peshkopëve pas vdekjes së Benediktit XVI ishin “si një shpërthim që të shqetëson pak”, por është më mirë sesa ta mbash fshehur sipas tij.

“Më mirë që ata të mos kritikojnë, për hir të paqes shpirtërore, por unë preferoj që ta bëjnë sepse kjo do të thotë se ka liri të fjalës. Nëse nuk do të ishte kështu, do të kishte një diktaturë ku është perandori dhe askush nuk mund t’i thotë asgjë”, ka thënë Papa.

Sipas tij, kritika të ndihmon të rritesh dhe të përmirësosh gjërat.

Ai trajton edhe çështjen e shëndetit të tij. “Jam mirë me shëndet. Për moshën time, jam normal”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore