Lajme

Hill: Asociacioni as nuk është pyetje që do të bëhet, çështja është si do të funksionojë


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, në një intervistë për gazetën serbe “Nova” ka thënë se sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe “as nuk është pyetje që do të bëhet, çështja është si do të funksionojë dhe në çfarë mënyre do të zbatohet”.

Ai ka përsëritur qëndrimin e tij paraprak se “themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është obligim i Kosovës”.

“Themelimi i Asociacionit është obligim. Nuk mendoj se është vetëm e drejtë të formohet, por mendoj se është logjike. Mendoj se logjika është mekanizmi më i fuqishëm”, tha Hill.

“Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor tha shumë qartë se kjo do të ndodhë, se është rënë dakord më herët dhe mbetet një kusht”.

Sa u përket barrikadave, pohoi se ato do të duhej të largoheshin.

“Shpresoj që njerëzit që vendosën barrikada do t’i heqin të njëjtat”.

Diplomati amerikan kur është pyetur se cilat do të ishin pasojat nëse nuk hiqen barrikadat nga veriu i Kosovës, ai ka theksuar se “kjo është një pyetje hipotetike”.

“Unë besoj se çështja që i brengos është vënë në dukje dhe se është koha që njerëzit që i vendosën t’i heqin të njëjtat barrikada”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore