Lajme

Heqja e licensës nga shteti, Klan Kosova: Veprim i padrejtë e me primesa autokratike, tentim për shtypjen e fjalës së lirë


Klan Kosova

Televizioni “Klan Kosova”, nëpërmjet një komunikate të mërkurën, ka shprehur shqetësimin lidhur me njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se  ka iniciuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës ndaj televizionit si dhe vendimit  për pezullimin e certifikatës së biznesit.

“Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës ka iniciuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës ndaj “Klan Kosovës” dhe ka marrë vendim për pezullimin e certifikatës së biznesit. Arsyeja e pezullimit është se kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”.

“Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare KLAN KOSOVA SHPK, deri në një vendim tjetër”, thuhet në komunikatën e MINT.

Po ashtu në njoftim theksohet se MINT shpreh besimin e plotë se Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Kosovës, do të veproj në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim dhe pret me vëmendje maksimale dhënien dhe marrjen e veprimeve të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore