Lajme

Helmimi në Deçan – komuna kërkon analiza më të thella të ujit nga IKSHP-ja


Komuna e Deçanit

Komuna e Deçanit i ka bërë kërkesë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publik të Kosovës për analiza më të thella të ujit të pijes në këtë komunë ku u helmuan mbi dy mijë qytetarë.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin e Komunës së Deçanit, ku thuhet se Kryetari i kësaj komune Bashkim Ramosaj, këtë kërkesë e ka bërë të ditur të mërkurën në mbledhjen e Shtabit Emergjent ku janë diskutuar tri pika më rëndësi.

“Në ketë takim kryetari Ramosaj, bëri të ditur se i është bërë kërkesë IKSHP-së për analizat më të thella të ujit të pijes në Komuna e Deçanit konkretisht për 12 fshatrat të cilat ishin të përfshira në rastin e fundit ku mbi 2000 mijë qytetarë janë helmuar”, thuhet në njoftim.

Rekomandimi nga IKSHP-ja pas përfundimit të analizave të fundit të ujit të pijes dhe përdorimit të tij, kampanja e kthimit të vetëbesimit për përdorimin ujit të pijes pas kësaj situate si dhe vlerësimi i situatës në përgjithësi që nga data 11 korrik 2021 e deri më 28 korrik, ishin temat e diskutuara në këtë takim.

Përveç kësaj, në këtë njoftim thuhet se kryetari Ramosaj ka theksuar pritjen e rekomandimeve nga IKSHP-ja në mënyrë që kjo kampanjë të nis sa më parë që qytetarët të kthejnë besimin për përdorimin e ujit pa frikë.

Fluksi i madh i qytetarëve të komunës së Deçanit të cilët kërkuan ndihmë emergjente për shkak të helmimit pati filluar nga dita e diele e 10 korrikut.

Prokuroria Themelore në Pejë, ka nisur hetimet për këtë rast helmimi. Me ç’ rast ka lëshuar edhe një urdhër për intervistim të disa personave.

Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka thënë se Kryeprokurori i kësaj prokurorie ka caktuar dy prokurorë për këtë çështje.

“Si urdhëresë e parë ka qenë të bëhet sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe sigurimi i video kamerave nga kamerat e sigurisë në atë rajon dhe pista të tjera të hetimit dhe gjithashtu të bëhet intevistimi i zyrtarëve të kompanisë ‘Hidrodrini’, zyrtarëve të qendrës së mjekësisë familjare në Deçan dhe personave të tjerë që kanë qenë pjesë e hetimit”, ka shpjeguar në detaje Nikqi.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore