Gjykata Speciale

Haxhi Shala deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë në Hagë


Haxhi Shala

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, i njohur gjatë luftës me nofkën “Topi”, në fjalën e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ka thënë se ndihet i pafajshëm për atë çka e akuzon Prokuroria në Hagë.

Ish-deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deklarimin e tij e ka bërë në konferencën e tij të parë mbi ecurinë e çështjes së tij pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Prokuroria e Speciales po e ngarkon Shalën me aktakuzë me tri pika: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.

“Plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Shala kur është pyetur se si deklarohet lidhur me këto akuza që rëndojnë mbi të.

Për çka po akuzohet komandant Topi?

Sipas aktakuzës, komandat “Topi” së bashku me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kanë organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar që ai të tërhiqet nga dëshmia.

“Dëshmitari 1 tha se nëse Shala dhe tjerët sjellin 200 mijë euro, atëherë do të kenë marrëveshje”, thuhet në aktakuzë.

Po ashtu aktakuza përfshin edhe kontakte të shumta telefonike dhe takime personale që kanë ndodhur në periudhën midis 5 dhe 9 prillit 2023.

Sipas aktakuzës, veprimet e Shalës dhe bashkëpunëtorëve të tij kanë pasuar qëllime “kërcënuese” dhe “shantazhuese” ndaj dëshmitarit, duke synuar, siç pretendojnë nga Specialja, të pengojnë drejtësinë dhe të ndikojnë në dëshminë e tij.

Shala i njohur ndryshe si komandant “Topi”, të hënën e 11 dhjetorit ishte intervistuar në zyrat e EULEX-it, ndërsa të martën u transferua në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë të Holandës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore