Lajme

Haradinaj: Qeveria të merret seriozisht me situatën e zjarreve në vend


Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradianj

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradianj, është shprehur i shqetësuar me përhapjen e vatrave të zjarrit në Kosovë.

Ai përmes një shkrimi në Facebook i ka bërë thirrje qeverisë që të merret më seriozisht me këtë çështje, ndërkaq ka apeluar për kujdes.

“Kërkoj nga Qeveria të merret më seriozisht me çështjen, pasi që mund të pësojnë jetët dhe pronat e qytetarëve të Kosovës”, shkroi Haradianaj.

Ai ka thënë se është “i shqetësuar për përhapjen e zjarreve në mbarë territorin e Kosovës”.

“Apeloj për kujdes të shtuar që zjarret të mos shkaktohen nga dora njerëzore”.

Ndërkaq në mëngjesin e tre gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi komunën e Suharekës, i cili bëri thirrje për kujdes të shtuar.

Kurti, potencoi për mediat se komunat nuk kanë zjarrfikës të mjaftueshëm, pavarësisht se mund të kenë pajisje për shuarjen e zjarreve.

Ai potencoi se edhe komunat fqinje po i ndihmojnë komunat më të rrezikuara, por gjithashtu institucionet kanë kërkuar ndihmën e Forcës së Sigurisë si dhe të misionit të KFOR-it.

“Besoj që mbajtja nën kontroll e këtyre zjarreve të egra paraqet një sfidë të madhe për shtetin tonë, por duke iu falënderuar qytetarëve, pra vullnetarëve, kemi arritur që tash për tash të mos kemi dëme të mëdha materiale dhe sidomos të mos kemi dëme në njerëz”, potencoi Kurti.

Zëdhënësi i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Nehat Koqinaj, ka deklaruar për Albanian Post se për momentin janë katër vatra të zjarrit në Kosovë.

“Vatrat e zjarrit janë në rajonin e Suharekës, të Prizrenit, në Parkun Nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’ dhe në Janjevë dhe komuna e Lipjanit”, pohoi Koqinaj.

Pjesëtarët e njësive të zjarrit, policisë dhe KFOR-it , pandërprerë janë në terren dhe marrin pjesë në lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.

Gjithashtu policia ka shtuar se vazhdimisht janë në detyrë edhe në lokalitete në të cilët janë shuar zjarret apo janë nën kontroll për veprime parandaluese edhe në parandalimin e rasteve te reja.

Komunat të cilat janë përfshirë nga zjarri janë disa fshatra në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë.

Po ashtu, vatra të reja të zjarrit  janë identifikuar edhe në komunën e Gjakovës, Malishevës, dhe Suharekës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore