Lajme

Haradinaj: Përgjithmonë krenar me heroizmin dhe mirënjohës për sakrificën e popullit tonë për liri


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se djemtë dhe vashat e Gjakovës ishin shembulli më i mirë i luftëtarëve të lirisë që nga mobilizimi e deri te dita e fitores.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që qëndruar të martën në Gjakovë në kujtim të Betejës së Çabratit, ku së bashku me kryetarin e kësaj komune Ardian Gjini, kanë nderuar heroizmin e Brigadës 137 “Gjakova” dhe trimat që ranë.

Haradinaj ka theksuar se Gjakova, “vatër e atdhedashurisë dhe shqiptarësisë ndër breza, i fali shumë lirisë së Atdheut”.

“Në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, anembanë vendit, Gjakova dha luftëtarë të mëdhenj”, shtoi.

Ai potencoi se gjatë luftës për liri, në këtë trevë u shkatërruan shumë ekonomi familjare e “shumë vëllezër e motra tona pësuan nga dora e agresorit, por shpirti liridashës e atdhetar i Gjakovës nuk u shua asnjëherë”.

“Përgjithmonë krenarë që kisha në krah bashkëluftëtarë si Heronjtë gjakovarë që i kujtuam sot”.

Në fund, ish-kryeministri pohoi se është përgjithmonë krenarë me heroizmin dhe mirënjohës për sakrificën e popullit tonë për liri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore