Lajme

Haradinaj pas takimit me Lajçak: U njoftuam me draftin e Statutit të Asociacionit – e lexuam në tërësi


Ramush Haradinaj

Ndryshe nga kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit me Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se e ka parë draft-statutin evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin Kosova e ka pranuar.

“Patëm mundësi që të njoftohemi me dokumentin e draft statutit që ta lexojmë në tërësi, edhe ta zhvillojmë një bisedë për hapat e mëtejmë që e presin Kosovën dhe atë se çfarë mund të pres Kosova pas implementimit të obligimeve që Kosova i ka marrë nga plani franko-gjerman”, tha Haradinaj.

“E kemi lexuar në tërësi”, theksoi Haradinaj, teksa dha edhe disa detaje se çfarë përmban ky draft.

“Drafti i shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni i jep komunave me shumicë serbe, pra qytetarëve që jetojnë në këto komuna, kuptohet çdo herë i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, pohoi kreu i AAK-së.

Ish-kryeministri shpjegoi se në këtë draft nuk ndryshojnë përgjegjësitë e komunave dhe Asociacioni nuk merr nga këto përgjegjësi, “por po ashtu janë shumë lehtësira që i krijohen në arsim, shëndetësi funksionimit dhe mundësive që i jep Asociacioni”.

“Komentet tona se a pajtohemi me këtë draft do t’i bëjmë pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, për shkak se në hyrje të dokumentit shpjegohet se drafti duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese dhe po ashtu edhe të gjitha aktet tjera, çdo vendim lidhur me krijimin e Asociacionit duhet të shqyrtohet nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe të aprovohet nga Kushtetuesja”, shtoi.

Ajo që për mua është me rëndësi, potencoi Haradinaj, për të cilën tha se duhet theksuar haptazi, “që pas shqyrtimit nga Kushtetuesja me implementimin e Asociacionit, Kosova e bënë një hap përpara që është edhe një kompromis i madh i Kosovës që buron nga një obligim i marrë më herët”.

Ndryshe nga Haradinaj deklaruan Krasniqin dhe Haziri, të cilët ishin në po atë takim me Emisarin Lajçak.

Krasniqi tha para gazetarëve se nuk e ka parë tekstin integral të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që i është propozuar Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare.

“Lajçak shprehu qëndrimin e shteteve të BE-së se draft statuti i Asociacionit që i është propozuar Qeverisë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që nuk shkon përtej vijave të kuqe, por ne nuk patëm mundësi që ta konsultojnë tekstin integral”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së teksa ka folur për detajet e draft statutit të Asociacionit, ka theksuar se “dreqi fshihet në detaje”.

“Nuk jemi të njoftuar me detajet dhe siç thotë një shprehje dreqi fshihet në detaje. Neve na duhet t’i shohim detajet e tekstit për të qenë të sigurt se një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshoj për të keq karakterin unitar të shtetit tonë dhe nuk do ta transmetojnë Republikën e Kosovës nga idealet e themelueseve të këtij shteti”, shtoi ai.

Krasniqi pas takimit me Lajçak: Dreqi fshihet në detaje

Nga ana tjetër, Haziri para gazetarëve deklaroi se nuk e ka parë tekstin integral të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që i është propozuar Kosovës nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo nuk është përgjegjësi e Lajçak-ut, por e Qeverisë së Kosovës që ta prezantojnë draftin para partive opozitare.

“Nuk kemi folur specifikasht për atë, sepse është detyrë e Qeverisë së Kosovës të na prezantojë draftin e Asociacionit. Palët në këtë proces po ofrojnë komente dhe komentet e tyre s’po negociohen po e ruajnë procesin për vetën e tyre dhe natyrisht një ‘po’ e konfirmuar nga Kosova u tha edhe nga zotëri Lajçak që Kosova ka pranuar edhe planin e sekuencimit edhe zbatimin e marrëveshjes dhe të gjithë modelin evropian”.

Haziri: Lajçak s’na prezantoi draftin e statutit të Asociacionit, është detyrë e Qeverisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore