Shqipëria

Hapësira ajrore: Rinovohet programi i përbashkët Itali-Shqipëri-Mali i Zi


Në Brindisi të Italisë, u zhvillua një takim i përbashkët mes Distriktit Teknologjik të Hapësirës Ajrore (Dta-s italiane) dhe Autoritetit Shqiptar të Aviacionit Civil për rinovimin e programit të përbashkët të hapësirës ajrore.

Tryeza e diskutimeve përfshiu dhe kompani shqiptare dhe italiane të hapësirës ajrore.

Në fokus të saj ishte përmbushja e projektit Skeye.

Ky i fundit sugjeron forcimin e teknologjisë kyçe të hapësirës ajrore për sistemet inteligjente të monitorimit të transportit.

Projekti është bashkëfinancuar nga programi Interreg mes Italisë, Shqipërisë dhe autoriteteve malazeze.

Të tre vendet mbështesin zhvillimin e një ekosistemi industrial dhe kërkimin në fushën e teknologjive të hapësirës ajrore.

Takimi

Veprimtaria u hap nga Giuseppe Acierno, President i DTA-s.

Përfaqësuesit e Universitetit të Bari-t, Rajoni i Puglia-s, Bashkia e Bari-t dhe Aeroporti i Puglia-s paraqitën angazhimin e tyre për të kontribuar, në përputhje me rolet e tyre institucional.

Tre profesorë që i përkasin përkatësisht Politeknikut të Bari-t, Universitetit të Bari-t dhe Universitetit të Salento-s prezantuan linjat e tyre kërkimore në fushën e hapësirës ajrore.

Në fund, Antonio Agrosì, zyrtar financiar i Programit Interreg Ipa-Cbc Itali-Shqipëri-Mali i Zi 2014-2020, prezantoi rezultatet e arritura.

Pjesa kryesore e vizitës iu kushtua kompanive pjesëmarrëse – 10 shqiptare dhe 10 italiane.

Së bashku me DTA-në, kompanitë puglieze morën pjesë në krahasim.

Kompanitë prezantuan vizionin dhe kapacitetin e tyre industrial, për të ndarë potencialin e disponueshëm.

Më pas u zhvilluan një sërë takimesh ballë për ballë (Business to business) gjatë të cilave u diskutuan bashkëpunimet e reja të mundshme midis kompanive italiane dhe shqiptare.

Giuseppe Acierno
Programi Interreg

Për DTA-n programi Interreg Itali-Shqipëri-Mali i Zi është mjeti më i mirë për ndërtimin e marrëdhënieve rreth pellgut të Adriatikut.

Antonio Zilli, menaxher i projektit të projektit Skeye, theksoi se programi i ri Interreg Ipa-Cbc Itali-Shqipëri-Mali i Zi 2021-2027 paraqet disa sfida.

Kjo sa i takon shërbimeve hapësinore dhe zgjidhjeve të reja të transportit ajror.

Në fazën përfundimtare të projektit Skeye, vëmendja do të përqendrohet në ndërtimin e iniciativave konkrete të inovacionit dhe bashkëpunimit që përfshijnë kompanitë italiane dhe shqiptare.

Acierno, shpjegoi ndër të tjera se “teknologjitë e hapësirës ajrore luajnë një rol themelor në shoqërinë dhe në jetën tonë”.

Sipas tij, aplikimet e tyre krijojnë mundësi të reja pune dhe shërbime të reja për qytetarin.

“Ne përballemi me sfida globale, si rritja e popullsisë së qyteteve dhe ndikimi i tyre në dinamikën dhe jetën urbane, të cilat janë mjaft të ngjashme në të gjithë Evropën dhe rajonet fqinje”, nënvizoi ai.

Zyrtari italian garantoi se nisma synon ndërtimin e një bote të qëndrueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore