Lajme

Halimi për Gërvallën: Jo serioze, më dëshirë për t’i hedhur benzinë zjarrit


Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, e ka kritikuar ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën, pasi kjo e fundit ka reaguar ndaj raportimeve për raketat që goditën në Poloni.

“Në një kohë kur të gjithë zyrtarët e ShBA-së dhe aleatëve evropian të NATO-s rezervohen në deklarime – që të mos ketë përshkallëzime dhe pasaktësi – ministrja jonë e jashtme tregohet joserioze, madje me një dëshirë të papërmbajtshme për t’i hedhur benzinë zjarrit”, ka shkruar Halimi në Facebook.

Halimi theksoi se është e pafalshme që e para e diplomacisë të jetë “kaq jodiplomatike dhe tërësisht e pakujdesshme në reagimet e saj”.

“Përpos lëshimeve teknike e ngatërrimit të flamujve të shteteve, angazhimit të vobektë të njohjes së Kosovës, gabimet përmbajtjesore e deklarimet pa takt, sikur ky i fundit, janë bërë rëndomtësi”, shtoi ajo.

Ajo ka kërkuar nga kabineti i Gërvallës që të angazhohen dhe ata të konsultohen, para se të bëhen të tilla gabime të panevojshme.

“Politika, dhe sidomos diplomacia, bëhet me vetëpërmbajtje e maturi, jo me temperament e vrull për t’u deklaruar, duke e vënë kësisoj shtetin tonë në pozitë të pafavorshme në politikën ndërkombëtare”.

Gërvalla: Të ndalet Putini para se ta sjellë luftën në të gjithë Evropën

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar pas raportimeve për raketat ruse në Poloni.

Përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, diplomatja kosovare iu ka bërë thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian që të ndërmarrin masa për ta ndaluar presidentin rus, Vladimir Putin, para se të bëhet vonë.

“BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të ndaluar Putinin përpara se ai dhe korrierët e tij të sjellin luftën në të gjithë kontinentin”, alarmoi ajo.

Çfarë ndodhi?

Një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane ka deklaruar se raketat ruse kaluan në Poloninë anëtare të NATO-s, duke vrarë dy persona.

Të paktën kështu raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Mueller, nuk e konfirmoi menjëherë informacionin, por tha se liderët e lartë po mbanin një takim urgjent për shkak të një “situate krize”.

Mediat polake raportuan se dy persona vdiqën sot më 15 nëntor, pasi një predhë goditi një zonë ku po thahej gruri në Przeëodóë, një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.

Kështu në Poloni ka nisur mbledhja e Komitetit, i cili përbëhet nga krerët e ministrive të mbrojtjes, të brendshme, të drejtësisë dhe të punëve të jashtme, si dhe koordinator i shërbimeve të inteligjencës.

Ai është një organ që përgatit dhe koordinon vendimet për sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare.

Në mesditë, Rusia goditi objektet energjetike të Ukrainës me breshërinë e saj më të madhe të raketave deri më tani.

Ajo goditi objektiva nga lindja në perëndim dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Moldavia fqinje u prek gjithashtu. Ajo raportoi ndërprerje masive të energjisë pasi sulmet rrëzuan një linjë kryesore të energjisë që furnizon vendin e vogël.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore