Lajme

Hajdari: Kam përmbushur detyrimin ligjor për deklarim të pasurisë


Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se është njoftuar nga mediat se Agjencia kundër Korrupsionit ka dorëzuar kallëzim penal kundër saj për gjoja mos deklarim ose deklarim të pasaktë të pasurisë.

Ajo e ka mohuar një gjë të tillë.

“Gjatë gjithë kohës si zyrtare publike, unë kam përmbushur detyrimin ligjor për deklarim të pasurisë dhe deklarimet përkatëse ndodhen në faqen e AKK-së”, ka shkruar Hajdari në Facebook.

Por, drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj, i cili ka thënë për Albanian Post se bëhet fjalë për një rast të mëhershëm, sa ishte Hajdari ministre në Qeverinë Kurti 1, por që është proceduar tash.

“Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit (AKK), për zyrtarin në fjalë ka përcjell kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës”, tha Buleshkaj.

Ndryshe më 23 mars të vitit të kaluar, Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – MINT, Rozeta Hajdari pranoi detyrën e ministres.

Hajdari kishte punuar si koordinatore për Arsimin e Lartë në Austrian Development Agency, një organizatë jo-qeveritare austriake që vepron në Kosovë.

Ndërkaq në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) emri i Rozeta Hajdarit figuron si pronare e një kompanie biznesore.

“R&V Consulting” është firma private, pronare e të cilës figuron të jetë Hajdari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore