Lajme

Guvernatori i Kalifornisë krahason njerëzit e pavaksinuar me shoferët e dehur


Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i ka krahasuar njerëzit e pavaksinuar me shoferët e dehur, ndërsa njoftoi se të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor shtetëror do të duhej t’i nënshtroheshin testimit të rregullt COVID-19 nëse nuk janë vaksinuar.

“Ju nuk keni zgjedhje të dilni, të pini dhe të vozisni dhe të vini në rrezik jetën e të gjithëve. Ky është ekuivalenti i këtij momenti, me vdekshmërinë, dhe efikasitetin e variantit Delta”, tha Newsom të hënën e 26 korrikut, në një konferencë shtypi.

Nën mandatin e ri të guvernatorit, punonjësit e shtetit do të duhet të paraqesin një provë të vaksinimit deri më 2 gusht dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor do të duhet të paraqesin provën e vaksinimeve deri më 23 gusht.

Çdo punonjës shtetëror, që nuk ofron një provë të vaksinimit, do të duhet të testohet një herë në javë, dhe çdo punonjës i kujdesit shëndetësor që nuk vaksinohet do të duhet të paraqitet për testim dy herë në javë. Gjithashtu, atyre do t’u kërkohet që të mbajnë maska ​​në çdo kohë.

Mandati i ri do të prekë të paktën 238 mijë punonjës shtetërorë.

Më shumë se 43 milionë e gjysmë kalifornianë tashmë janë vaksinuar kundër virusit, sipas të dhënave shëndetësore të Kalifornisë, por ende varianti Delta po vazhdon të përhapet në të gjithë shtetin.

Delta përbën më shumë se 80 për qind të infeksioneve në Kaliforni. Të hënën u raportuan pothuaj 22 mijë raste të reja me COVID dhe 65 vdekje, sipas raportimeve të departamentit të shëndetësisë.

Shtrimet në spital po reflektojnë një rritje, me 3 mijë e 300 njerëz të shtruar në spital që nga e hëna – 200 më shumë se një ditë më parë, megjithëse numri i njerëzve të shtruar në spital me virus mbetet më i ulët se ata të shtruar në spital gjatë kulmit të pandemisë në dimër.

Por, problemi, nuk është vetëm në shtetin e Kalifornisë.

Të dielën, SHBA-të regjistruan 15 mijë e 700 raste të reja, me një mesatare shtatë-ditore 52 mijë, e cila është një rritje 291 për qind.

Për më tepër, 56 vdekje nga COVID-19 u regjistruan të dielën me një mesatare prej 281 fatalitetesh në javën e fundit.

Viktimat nuk janë rritur në mënyrë dramatike, por përkundrazi janë rritur lehtë me 17 për qind nga mesatarja e 239 fataliteteve regjistruar tri javë më parë.

Për të luftuar këtë, kryetari i bashkisë së New York-ut, Bill de Blasio, njoftoi të hënën se ai gjithashtu do t’u kërkojë të gjithë 314 mijë punonjësve të qytetit – përfshirë ata që punojnë për Departamentin e Edukimit dhe Departamentin e Policisë së New York-ut – të vaksinohen deri më 13 shtator.

Ata që mbeten të pavaksinuar do të kërkohet të mbajnë maska ​​në çdo kohë, tha ai, duke shtuar se “për fat të keq do të duhet të ketë pasoja”.

“Për fat të keq, duhet të jemi shumë të ashpër nëse një punonjës i qeverisë së qytetit nuk mban maska ​​brenda nëse nuk janë të vaksinuar”, tha De Blasio, me zyrtarët shëndetësorë që njoftuan më vonë se ata që nuk mbajnë maska ​​mund të lihen me leje.

Shteti i Nju Jorkut po ndan gjithashtu 15 milionë dollarë për organizatat e vaksinimit në komunitet, njoftoi të hënën, Guvernatori Andrew Cuomo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore