Lajme

Gjykatësja, dëshmitarit në rastin Mustafa: “Pse deklaruat ndryshe më 2006”


Gjykatësja në rastin e Salih Mustafës, Mappie Veldt Foglia

Në ditën e katër të dëgjimit të dëshmitarit të parë për rastin e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, në Gjykatën Speciale në Hagë, pyetje për të këtë herë ka pasur nga ana e anëtarëve të trupit gjykues apo më saktësisht nga gjykatësja Mappie Veldt Foglia.

Foglia, ka pyetur disa herë dëshmitarin për deklaratën që kishte dhënë në vitin 2006, ai para UNMIK-ut  për të kuptuar se pse përgjigjja e tij i dhënë në 2006 ndryshonte vite më vonë para Zyrës së Prokurorisë Speciale në Hagë.

Deklarata për të cilën e pyeti gjykatësja, Foglia, ishte për ushtarët në Zllash, në vendin ku dëshmitari pretendon se është mbajtur dhe se ka deklaruar se i kishte parë persona me maska, por të njëjtën deklaratë kur e kishte dhënë për herë të parë para ZPS-së kishte thënë se nuk i kishte parë.

“Po ju pyes sepse përpara UNMIK-ut në 2006 ju thatë se kishte një person që kishte vënë një maskë që jua vendosi pistoletën. Pse ke thënë se kishte një person me maskë? Ti ke thënë në vitin 2006 që personi kishte maskë dhe këtu po thua që nuk ka pasur maskë. Pse ke thënë ndryshe më 2006”, pyeti gjykatësja.

Ndërsa dëshmitari u përgjigj se nuk e mban mend.

“Nuk e mohoj ndoshta e kam thënë nuk besoj që ka pasur maskë. Kom harru çka kam thënë tash jam duke thënë se nuk kam parë me maskë”, ka thënë dëshmitari.

Gjykatësja pas përgjigjes ka insistuar përsëri duke pyetur se pse në “Gjykatën Speciale deklaruat se keni mësuar përgjegjësin apo komandantin e vendit ku ju ishit mbajtur një muaj pasi që u liruat nga vendi në fjalë” ndërsa në deklaratën e UNMIK-ut 2006 ju keni thënë se “nuk e dija se kush ishte personi përgjegjës të atij vendi”.

Dëshmitari i parë në rastin Mustafa, të cilit nuk i shfaqet fytyra dhe iu është ndryshuar zëri për arsye sigurie

“Pse ke thënë ndryshe në vitin 2006 e tash ndryshe”, ka shtuar Foglia.

Ndërsa dëshmitari ka thënë se është pyetur rreth “200 herë” dhe se nuk e mban mend çfarë ka thënë.

“Nuk e di e kam harruar nuk e mbaj në mend, por pas një muaji e kam marrë vesh kush ishte përgjegjësi në atë vend”, ka thënë ai.

Gjykatësja pas përgjigjes së dëshmitarit nënvizoi se ndërrimi i deklaratave nga dikush mund nënkuptohet sikur po gënjen.

Seanca më pas është mbyllur për publikun.

Salih Mustafa, ish-eprori i UÇK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore