Lajme

Gjermani/Qindra gjermanë protestojnë kundër lockdown-it


Qindra njerëz kanë protestuar në Berlin, të mërkurën e 21 prillit, kundër një ligji që do të miratojë parlamenti.

Në bazë të tij, qeveria kombëtare do të ketë fuqinë për të vendosur bllokime në zonat me nivele të larta infeksioni coronavirus-i, për të frenuar një valë të tretë të pandemisë.

Kancelarja Angela Merkel vendosi të hartonte ligjin, i cili është kritikuar nga kundërshtarët. Ata argumentuan se kufizon liritë personale, duke qenë se disa nga 16 shtetet federale të Gjermanisë refuzuan të vendosnin masa të ashpra pavarësisht rritjes së rasteve.

Masat përfshijnë shtetrrethimin, ndërmjet orës 10:00 dhe pesë të mëngjesit, ndërsa do të ndalohen tubimet private, sportet dhe hapjet e dyqaneve.

Shkollat ​​do të mbyllen dhe do të kthehet mësimi online, nëse incidenca e virusit do të tejkalojë 165 raste për 100 mijë banorë.

Qindra protestues, shumë pak prej tyre me maska, u mblodhën nën rrezet e diellit pranë Portës së Brandenburgut, jo shumë larg ndërtesës së Bundestag-ut në Berlinin qendror.

Njerëzit tundnin flamuj dhe banderola gjermane me “paqe” dhe “demokraci” të shkruar mbi to dhe luanin muzikë.

Në një pankartë shkruhej: “Fundi i frikësimit tani”. Furgonët e policisë ishin parkuar në rrugë dhe oficerët shikonin.

Gjermanët janë të ndjeshëm ndaj çdo mase që kërcënon lirinë e tyre, për shkak të së kaluarës naziste dhe komuniste të vendit. Demonstratat kundër ligjit të ri janë organizuar në javët e fundit në qytete anembanë vendit.

Alexander Gauland, kreu parlamentar i partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), tha se qeveria po luftonte pandeminë me masa të gabuara.

“Ata janë mbërthyer në llogoret e tyre”, u shpreh ai në debatin e Bundestag-ut mbi ligjin.

Ralph Brinkhaus, udhëheqësi parlamentar i DemokratKristianëve të Merkelit, tha se politikanët duhej të ekuilibronin liritë civile me nevojën për të shpëtuar jetë.

“Ne jemi në një situatë ku shumë njerëz po vdesin”, tha ai.

Gjermania raportoi një rritje prej 24 mijë e 884 rastesh me coronavirus të mërkurën, duke e çuar totalin në gati 3.19 milionë.

Rreth 80 mijë e 634 njerëz kanë vdekur, ndërsa mjekët kanë paralajmëruar që, nëse nuk ndërmerren masa, njësitë e kujdesit intensiv mund të përpiqen të përballojnë.

Sidoqoftë, në ditët e fundit, shkalla e incidencës shtatëditore është ulur dhe tani është 160.1 për 100 mijë.

Ligji pritet të shkojë në dhomën e sipërme të parlamentit të Bundesrat të enjten.

Përshtatur nga Reuters për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore