Shqipëria

Gjenden pa jetë babë e bir, të zhdukur pas përmbytjeve në Malësinë e Madhe


Janë gjendur të pajetë pas 16 orë kërkimesh trupat e dy personave, babë e bir, të cilët u zhdukën pasi i mori rrjedha e ujit në vendin e njohur si “Grykë Lugje” në Malësinë e Madhe.

Me punën intensive të grupit të polumbarëve pranë forcave RENEA si edhe grupit të evakuim-shpëtimit dhe grupit alpin të FNSH Shkodër, është bërë e mundur gjetja e trupave, në gjatësinë e përroit, në zonën e Bogës.

Në bazë të shpjegimit të ngjarjes, rrjedha e ujit ka marrë përpara automjetin që drejtohej nga shtetasi P.R., rreth 50 vjeç.

Në çastin e ndodhisë, kanë qenë të pranishëm tre persona në veturë: Babai, djali dhe vajza.

Kjo e fundit, ka arritur të shpëtojë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Situata e reshjeve

Kritike shihet situata në gjithë zonën e Shkodrës, ku faktor për këtë gjë janë bërë edhe prurjet e shumta në lumin Drin, të cilat kanë mbingopur hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe momentalisht, 30% e prurjeje po shkarkohen.

Në ndihmë të banorëve, për çdo emergjencë të mundshme, janë në gatishmëri edhe 100 efektivë të Ushtrisë shqiptare nga Forcat Tokësore dhe Baza e Mbështetjes për Emergjencat Civile.

Siç ka bërë me dije ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, mjete të larta, mjete lundrimi dhe pajisje të posaçme po i shtohen në ndihmë ekipit të efektivëve në Shkodër për të bërë të mundur reagimin sa më të shpejtë ndaj çdo fatkeqësie.

Një ulje e mundshme e intensitetit të reshjeve pritet të ndodhë që prej mesditës së sotme, duke sjellë kështu edhe normalizim të situatës.

Gjithsesi, fluksi i prurjeje parashikohet të vijojë përgjatë gjithë javës.

Përmbytje masive në Lezhë

Rreth 1 mijë e 500 hektarë tokë në Zadrimë, Torovicë dhe Kakarriq janë përmbytur tërësisht për shkak të reshjeve të dendura të shiut, prej orëve të para të mëngjesit të 20 nëntorit.

Është kjo panorama në të cilën Lezha është zgjuar, duke u paraqitur edhe si një ndër qarqet më problematike me situatën e përmbytjeve, së bashku me Shkodrën.

Rruga që lidh fshatin Blinisht me rrugën interubrane Lezhë-Shkodër është e bllokuar, si pasojë e prurjeve të shumta.

Ndërkohë, një ulje e lehtë e intensitetit të reshjeve në orët e vona të natës, ka bërë që nivelet e lumenjve Drin dhe Gjadër të bien, duke sjellë një lajm të mirë për të gjithë zonën.

Situatë jo e mirë paraqitet edhe në Gjirokastër, ku disa akse janë bllokuar për shkak të rënies së gurëve dhe pemëve.

Pavarësisht kësaj, niveli në lumenjtë Drino dhe Vjosë nuk e ka kaluar kuotën, duke mos shkaktuar momentalisht probleme me përmbytjet.

Në një sërë aksesh rrugore, ka pasur edhe ndërhyrje nga Agjencia Rrugore Shqiptare, për të riparuar dëmet apo zhbllokuar akset e bllokuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore