Lajme

Gërvalla: Rusia aktualisht po kryen sulm hibrid ndaj Kosovës


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, të martën ka njoftuar se Rusia aktualisht po kryen një sulm hibrid ndaj Kosovës.

Sipas saj, ky sulm nga Rusia po vjen si hakmarrje pasi Kosova do ta mbështesë Ukrainën me pajisje ushtarake.

“Rusia po sulmon Kosovën përmes një sulmi hibrid sot, pas njoftimit tonë për mbështetje në pajisje ushtarake për Ukrainën në mbrojtjen e saj të justifikuar kundër agresionit gjenocidal rus. Ne e dimë nga gjenocidi i Serbisë kundër Kosovës se vetëm mjetet ushtarake e ndalin gjenocidin”, ka shkruar Gërvalla në X.

Gërvalla nuk ka dhënë detaje shtesë mbi sulmin hibrid rus.

Kryediplomatja nuk ka specifikuar as cakun e këtij sulmi.

Ndryshe nga Gërvalla, Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar ende për sulmin hibrid rus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore