Shqipëria

France 2: “Shqipëria “Tailandë e vogël” në Evropë, vizitojeni


Televizioni i njohur francez France 2, ka publikuar një video ku promovon turizmin në Shqipëri, duke e cilësuar atë si “Tailanda e vogël” në Evropë. Një vend, i cili duhet vizituar doemos.

Videon e ka publikuar edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në llogarinë e tij në Facebook.

Deti dhe malet janë në sytë tuaj. Në horizont, kështjella mbi shpate të thepisur.

Kështu nis videoja promovuese e Francë 2 për Shqipërinë, ku përmenden bukuritë jo vetëm natyrore të tokës së shqiponjave, por edhe vlerat historike të saj.

“Në bregdet, një det akuamarinë”, vijon më tej videoja. “Një vend i cili duhet vizituar patjetër në Evropë”.

Plazhe si ai i Ksamilit, janë të shpalosur në video. Turistë francezë, theksojnë plazhet si në Maldive dhe çmimet më të përballueshme.

Një prej tyre, thotë madje se “nëse këto plazhe do të zhvendosezhin në Cote d’Azur, në rivierën franceze, çmimet do të ishin shtatë deri në 10 herë më të larta”.

Një tjetër sipërmarrës, pronar i disa shtëpive të pushimi në Qeparo, prej 20 vjetësh jeton në Shqipëri. Sipas tij, vendi është i sigurt dhe është ideal për t’u vizituar.

Malet e larta karshi detit, qytetet antike dhe rrënojat ilirike, janë po ashtu të preferueshme.

Një vendmbërritje ideale, për ata që preferojnë të kryejnë disa aktivitete.

Një vend Ballkanik, i cili i ofron evropianëve peizazhet e fundit të paeksploruara të Mesdheut.

Promovim edhe nga Luksemburgu

Një tjetër shtet frankofon, ai i Luksemburgut, është bërë gjithashtu promotor i turizmit shqiptar.

Në një artikull ku flitet për pesë destinacione “low cost”, renditet edhe Saranda, përkatësisht Ksamili.

Aty përmendet afërsia e vendit me Greqinë, ku përballë mund të shihet me sy të lirë ishulli i Korfuzit.

Ksamili përshkruhet si një fshat i vogël magjepsës gadishullor, pranë Parkut Kombëtar të Butrintit.

Një mundësi e mirë sipas luksemburgasve, është edhe udhëtimi i gjithë rivierës me varka apo jahte. Kështu, mund të shijohet një pushim ndryshe, në një vend të përballueshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore