Shqipëria

Fitorja historike, Beci: Do ta bëjmë Shkodrën qendër të rajonit


Nga KZAZ numër 2 në qytetin e Shkodrës, kandidati i Partisë Socialiste, Benet Beci, ka falënderuar të gjithë qytetarët që zgjodhën të besojnë te ai.

Ai theksoi se puna do të fillojë shumë shpejt.

“Do ta bëjmë Shkodrën qendër të rajonit për të cilin do të jemi krenarë. Kështu që faleminderit të gjithëve, shumë mirënjohje, fillojeni këtë proces me qetësi”.

Deri më tani janë numëruar 243 qendra votimi nga 247 qendra votimi që ka në total Bashkia e Shkodrës.

Dhe pse ende nuk ka përfunduar votimit, ai tashmë e ka siguruar fitoren historike në atë bashki, që ka qenë bastion i të djathtës që me ardhjen e demokracisë.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” nuk ka më mundësi rikuperimi.

Beci zgjodhi të flasë shumë shkurt dhe tha se një deklaratë zyrtare do të mbahet më vonë.

Ai kryeson me 60.24 % të votave, dhe Bardh Spahia i koalicionit “Bashkë Fitojmë” renditet i dyti me 39.76 %.

Beci me 243 QV të numëruara nga 247 ka marrë 33 mijë e 953 vota.

Pas tij me një diferencë prej, 11 mijë e 539 votash renditet Spahia, pra ai ka marrë 22 mijë e 414 vota.

Parashikimi i ministres dhe njëkohësisht përgjegjëses për fushatën e socialistëve në Shkodër Elisa Spiropali doli i saktë.

Ajo pas përfundimit të numërimit në Kamëz – ku Rakip Suli, u shpall fitues në një bashki “të djathtë”, duke marrë mbi 60 % të votave – shkroi se Shkodra do të udhëhiqet nga i njëjti fat.

“Bardh, shiko Kamzën, merr frymë thellë dhe përgatitu”, ishin fjalët e Spiropalit drejtuar kryetarit aktual të bashkisë.
Por, kush është Benet Beci?

Ai është djali i një akademiku linguistik si Bahri Beci dhe vjen nga një familje e mirënjohur në Shkodër.

Në moshën 58-vjeçare dhe në kulmin e aftësive profesionale, Beci ka krijuar profilin e një teknicieni.

Në 35 vitet e tij të punës, Benet Beci ka mbuluar mjaft pozicione.

Sigurisht, më të rëndësishmet janë admininistrimi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit si drejtor ekzekutiv dhe KESH si administrator ligjor.

Prej diçka më shumë se katër viteve, Beci ishte emëruar në krye të KESH sh.a kur pranoi propozimin e kryeministrit Rama për të drejtuar një tjetër institucion strategjik.

Që prej vitit 2005 Benet Beci ishte drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i krijuar në vitin 1993 me fonde të donatorëve të huaj me mision zbutjen e varfërisë në zonat rurale.

Beci e mori drejtimin e FSHZH-së në kohën kur portofoli i këtij institucioni ishte rreth 116 milionë Euro.

Gjatë drejtimit të tij ky portofol u rrit në më shumë se 480 milionë euro, ose 8 herë më shumë.

Nga viti në vit aktiviteti i FSHZH u zgjerua duke u transformuar nga një institucion me aktivitet kryesisht nëzonat rurale, në instrumentin më të besuar të donatorëve për investime në të gjithë territorin e vendit në infrastrukturë, turizëm, bashkëpunim ndërkufitar etj.

Donatorët e mëdhenj si Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka e Këshillit të Evropës, etj. i kanë besuar FSHZH projektet madhore të zhvillimit.

Shkodra me Elisën dhe Benetin bëjnë historinë politike

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore