Lajme

Fillim “me hajër” sipas pushtetit, fillim i “përçartjes populiste” sipas opozitës


Ilustrim

Kosova përmbylli një vit të rrethanave të jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht, një vit të zhvillimeve sfiduese – sovranitet të cunguar, sanksione ndërkombëtare dhe kërcënime sigurie – por ndonëse zyrtarë të partisë në pushtet e cilësuan “me hajër” javën e parë të janarit, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar, opozita e cilësoi “përçartje populiste” këtë fillimvit.

Viti i ri filloi mbarë, sipas zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke qenë se gjatë javës së parë të janarit, disa procese të rëndësishme për vendin morën çuditërisht epilog, përkundër përformancës së dobët të Qeverisë së Kosovës. Në ndërkohë, entuziazmi i tepruar shkaktoi irritimin e partive opozitare në vend, veçanërisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën në mbrëmje, përshëndeti përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, njohjen e pasaportës kosovare nga Spanja, njohjen e targave kosovare të makinave nga Serbia dhe fillimin e zbatimit të marrëveshjes për energjinë për katër komunat veriore të vendit të banuara me shumicë serbe.

“Java e parë e vitit të ri ka qenë javë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin tonë”, konstatoi kryeministri Kurti, i cili, nën euforinë e vetëkënaqësisë kufizuese të sukseseve momentale, ndër të tjera shtoi: “Fillimet që po i shënojmë e festojmë tani, janë rezultate të një pune të gjatë e vendosmërie të madhe të institucioneve tona që vazhdon edhe më tej”.

Vendimi për liberalizimin e vizave në zonën Shengen hyri në fuqi më 1 janar 2024. Rreth 2 milionë kosovarë mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e Bashkimit Evropian (BE) për qëndrime afatshkurtëra, pas më shumë se një dekadë pritjeje, duke përmbyllur kështu një proces normal për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, por një odiseadë për shtetin më të ri evropian.

Megjithatë, euforinë e zyrtarëve kosovarë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk e kualifikoi ndryshe pos si “mburrje përplot delir populist”, derisa kujtoi se gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe protestat masive të LVV-së në sheshet e kryeqytetit gjatë opozitëbërjes, ishin shkaktarët kryesorë që procesi i liberalizimit të vizave ishte shtyrë për shtatë vjet.

“Mburren me liberalizim, proces që e kishin ndërprerë me dhunë qysh në vitin 2016. Asokohe, Kosova, Ukraina dhe Gjeorgjia ishin në një paketë. 7 vite të humbura për një kauzë që e kanë harruar tashmë. I thonë demarkacion”, shkroi kryetari i partisë më të vjetër në vend, derisa numëroi një nga një dështimet e politikës së jashtme të Kosovës.

Në këtë drejtim, vendimi i Spanjës për t’i njohur pasaportat kosovare, përkundër faktit se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, u paraqi si një tjetër zhvillim pozitiv në skenën ndërkombëtare – përderisa Spanja nuk ka lëvizur drejt njohjes formale, ky vend ka qenë mjaft konstruktiv ndaj Kosovës në aspektin praktik, duke mos u bërë pengesë e proceseve integruese të vendit.

E përpjekjet e zyrtarëve të partisë në pushtet për t’ia faturuar ‘suksesin’ një konsulenti të jashtëm, i cili ngjalli reagime për pagën astronomike prej mbi 7 mijë e 500 euro në muaj, Gani Jakupi, gjoja për promovimin ndërkombëtar të artit dhe kulturës kosovare, shpejt i balancoi nënkryetari i LDK-së, i cili ironizoi me pretendimet e disa deputetëve të LVV-së.

Numri dy i LDK-së, Lutfi Haziri, nëpërmjet një postimi në “Facebook” në mbrëmje, sugjeroi Qeverinë e Kosovës t’ia atribuonte meritat në radhë të parë shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell – një socialist katalans, i cili ka mbajtur disa poste ministrore në Spanjë, shpesh në luftë verbale me zyrtarë qeveritarë në Prishtinë – për njohjen e pasaportave kosovare.

“Spanja befasoi qeverinë… Jakupi me super pagë për asgjë. Kurrë asgjë nuk keni bërë për këtë punë ju. Nada! Veç thoni faleminderit Borrellit”, shkroi në një mënyrë ironike nënkryetari i LDK-së, derisa uroi veçanërisht tifozët kosovarë të dy gjigandëve të futbollit evropian: Barcelonës dhe Real Madridit.

Në javën e parë të janarit erdhën edhe “lajme të tjera të mira” në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së: njohja reciproke e targave të automjeteve në bazë të parimit të reciprocitetit dhe fillimi i procesit të nominimit të energjisë elektrike që konsumohet në katër komunat veriore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore